Kërcënon LDK-ja, 3 nëntori totalisht i papranueshëm

Lideri i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i shqetësuar për datën e zgjedhjeve. Ai ka thënë se për LDK-në është shqetësuese që zgjedhjet të mbahen me 3 nëntor, transmeton KTV.
“Ne totalisht nuk e konsiderojmë të arsyeshme që zgjedhjet të mbahen me 3 nëntor sepse kjo i bie që është manipulim paraprak i zgjedhjeve”, ka theksuar ai. Mustafa madje ka shkuar edhe më larg duke thënë se nëse 3 nentori është pjesë e marrëveshjes, atëherë LDK-ja do ta rikonsiderojë mbështetjen për marrëveshjen me Serbinë.Ndërkohë edhe Vetëvendosje është shprehur e pakënaqur me 3 nëntorin si datë e mbajtjes së zgjedhjeve. Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se Kushtetuta përcakton se një prej përgjegjësive kryesore të Presidentes së Republikës së Kosovës është të shpallë zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Kosovë, pas konsultimit me partitë politike, por kjo nuk ndodhi në rastin e këtyre zgjedhjeve lokale.
Vetëvendosje, ka theksuar se presidentja Atifete Jahjaga nuk i shpalli zgjedhjet pas konsultimeve me partitë e vendit, por i shpalli sipas dëshirës së kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.
“Daçiq tregoi se me Thaçin ishin dakorduar që zgjedhjet të mbahen më 3 nëntor të këtij viti. Tash Jahjagës i ka mbetur që të zbatojë këtë vendim ditëve në vijim, përkundër dëshirës për një datë tjetër pothuajse nga të gjitha subjektet politike”, theksohet në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje./Indeksonline/