E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa: Prendi të arrestohet, vrau me dashje Myrtajn

Ish-komandanti i Gardes, Ndrea Prendi dhe avokati i tij Genc Gjokutaj

Akuza: Kemi procesverbal për fletëdaljen e armës së gjeneralit

Prokuroria apelon masat arrest shtëpie për 3 të akuzuarit

TIRANE – Prokuroria e Shkallës së Parë në kryeqytet dorëzoi dje në Gjykatën e Apelit në kryeqytet, kërkesën për caktimin e masës arrest me burg ndaj komandantit të Gardës së Republikës, Ndrea Prendi, shoferin e tij Margarit Kume dhe ekspertin e IT në Kryeministri, Armando Kasaj. Tetë ditë pasi Gjykata e Tiranës caktoi masat e sigurisë arrest në shtëpi për tre të akuzuarit e dosjes 21 janari, Prokuroria kërkoi në Apel rikthimin e tyre në paraburgim. Sipas organit të akuzës, të pandehurit duhet të mbahen në paraburgim për shkak të rrezikshmërisë së lartë shoqërore dhe mënyrës si e kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen. Argumenti i parë i Prokurorisë në apelim ka qenë se Ndrea Prendi, komandanti i Gardës, i akuzuar për vrasjen e Faik Myrtajt, e ka kryer krimin me dashje dhe më pas ka fshehur provat duke ndryshuar tytën e armës së tij. Sipas Prokurorisë, këto elemente tregojnë qartë rrezikshmërinë e personit në fjalë dhe po ashtu plotësojnë gjithë kushtet e nevojshme ligjore për të mbajtur në burg gjeneralin. Prokuroria tha nga ana tjetër se në citimin e provave të saj bën pjesë edhe akti i sekuestrimit të fletëdaljes së armës së Ndrea Prendit, dokument i cili u kërkua në Gjykatën e Shkallës së Parë, e cila e la në arrest shtëpie kreun e Gardës. Sa i përket shtetasit Margarit Kume, sipas Prokurorisë, edhe ai duhet të mbahet në gjendjen e arrestit me burg, pasi ka vepruar për të fshehur provat. Kështu, Prokuroria ka pohuar se Margarit Kume, shofer i komandantit të Gardës, ka ndihmuar shefin e tij në përpjekjet për të devijuar hetimet e Prokurorisë. Disa ditë pas 21 janarit, sipas organit të akuzës, shtetasi Margarit Kume i ka dhënë Ndrea Prendit tytën e armës së tij duke vënë në armën e vet tytën me të cilën ishte qëlluar më 21 janar, e lënë të vdekur protestuesin Faik Myrtaj. Sipas Prokurorisë, në oborrin e Kryeministrisë në anën veriore të tij janë gjetur njëmbëdhjetë gëzhoja kalibër 9 mm, të cilat janë qitur nga arma e zjarrit tip Beretta e kalibrit 9 mm dhe me numër P 52796Z (pistoleta e shtetasit Ndrea Prendi). Ai ka qëlluar disa herë në drejtim të turmës së protestuesve, ndërsa Prokuroria thekson se 4 predha janë gjetur në zyrat e UNHCR përballë Kryeministrisë dhe një predhë është gjetur në trupin e Faik Myrtajt. Prokuroria theksoi se edhe shtetasi Margarit Kume ka kryer haptazi veprime për tiu shmangur hetimit, ndaj masa e sigurisë e përshtatshme për këtë person është ajo e arrestit me burg. Sa i përket punonjësit të Kryeministrisë Armando Kasaj, Prokuroria theksoi se ai ka kryer veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës dhe ka dëmtuar provat që do të ndihmonin hetimin e 21 janarit. Në këto rrethana, sipas Prokurorisë, rrezikshmëria e këtij personi është shumë e lartë dhe mundësia e prishjes së provave prej tij është prezente. Ekspertiza e kryer serverit të Kryeministrisë ka gjetur se në server janë kryer ndërhyrje në datë 21 janar 2011 ora 12:14, datë 22 janar 2011, ora 00:51:52 (pas mesnatës së 21 janarit), datë 28 janar 2011, ora 12:10. Ndërhyrjet me kopjim dhe fshirje të regjistrimeve të 11 kamerave të vëzhgimit të Kryeministrisë dyshohet se i ka kryer Armando Kasaj.

Prokuroria do të marrë deklarimet
Pas masave në Apel pritet dëshmia e Ndrea Prendit

TIRANE Pas përfundimit të seancave të masave të sigurisë në Gjykatën e Apelit, Prokuroria pritet të marrë në pyetje tre të akuzuarit e 21 janarit, Ndrea Prendi, Margarit Kume dhe Armando Kasaj. Atyre u janë kërkuar deklarime edhe gjatë momentit të parë kur u paraqitën në Prokurori më 23 janar, pas zbatimit të urdhrave të lëshuar nga Gjykata e Tiranës, ndërkohë që pritet që tre të pandehurve tu merren deklarimet procedurale që do të shërbejnë si bazë për qëndrimin e tyre deri në fund të procesit gjyqësor. Prokuroria pritet të fillojë marrjen në pyetje të tre të dyshuarve me komandantin e Gardës, Ndrea Prendi, i cili është pezulluar nga detyra deri në fund të hetimit. Më 23 janar 2012, gjatë qëndrimit në Prokurori, ai tha se ka qëlluar me armë pasi porta metalike e Kryeministrisë ishte hapur dhe pasi ishte qëlluar me gurë në fytyrë, por të shtënat kanë qenë me drejtim lart dhe jo në drejtim të turmës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›