E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Do votojmë pro heqjes së imunitetit të tre deputetëve

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të votojë ditën e enjte në Kuvend pro heqjes së imunitetit të tre deputetëve socialistë Taulant Balla, Tom Doshi dhe Besnik Bare. Kreu i selisë rozë Edi Rama bëri me dije sot në mbledhjen e grupit se PS-së do të votojë pro kërkesës së prokurorisë për heqjen e imunitetit të tre deputetëve për të vijuar me hetimet për 21 janarin.

“Të enjten do votojmë pro heqjes së imunitetit për tre deputetet e PS-së. I falënderoj ata për qëndrimin e qartë publik, vënia e tyre me vullnet të lirë në mbështetje të hetimit të 21 janarit e nderon PS dhe këtë grup parlamentar. E mbështesim pa kusht hetimin dhe Prokuroren e Përgjithshme që gjendet përballë një presioni barbar” ka theksuar Rama.

Sipas tij, shqiptarët panë e dëgjuan qartë brenda dy ditësh në dy intervista faktet dhe dinjitetin e Ina Ramës nga njëra anë dhe gënjeshtrat dhe çorodinë e Berishës nga ana tjetër.

“Askush nuk mund të mos e bëjë dallimin e qartë ndaj ligjit. Ina Rama nuk është Silvia Konti kur na intereson dhe "lavirja e bulevardit" kur s`na intereson, por Prokurorja e Përgjithshme e Republikës. Interesi i vendit për ne është mbi çdo interes vetjak e partiak”- theksoi Rama.

Ndërsa i ka cilësuar kërcënimet e kryeministrit Berisha si kulmi i shantazhit dhe preludi i dështimit të procesit të integrimit, Rama ka theksuar se ai ka shpallur haptas qëllimin e tij për të vënë nën kontroll drejtësinë.

Kryetari i PS-së deklaroi mbështetjen e plotë ndaj kryeprokurores në lidhje me hetimet për 21 janarin, ndërsa akuzoi kryeministrin se përditë orkestron sulmet ndaj Ina Ramës, çka minon ndërtimin e shtetit të së drejtës.

"Qëndrimi politik për zbardhjen e plotë të ngjarjes, ka të bëjë me interesin e Shqipërisë në përpjekjen për të ndërtuar shtetin e së drejtës dhe nuk mund ta çojmë përpara pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Qëndrimet e Berishës minojnë ndërtimin e shtetit të së drejtës" ka shtuar më tej Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›