Kërkesa e PD për ekspertim të fletëve të votimit në Peqin, KQZ: Materialet zgjedhore, të paprekura

Pas kërkesës së depozituar nga përfaqësuesi ligjor i PD-ADSHM, Franc Nuri, për ekspertim të fletëve që pretenduan se gjetën në një lokal në Peqin, KQZ ka reaguar me një shkresë zyrtare ndaj tij duke bërë me dije se nuk është evidentuar asnjë rast flete votimi e papërdorur që të jetë administruar kashtë kutive të materialeve zgjedhore.
“I nderuar z. Nuri, Në përgjigje të shkresës suaj, administruar me tonën nr. 4865 prot., datë 23.5.2025, me lëndë “Kërkesë për informacion dhe ekspertim të pavarur mbi materialet zgjedhore të kapura në Peqin, Qarku Elbasan, më datë 22.05.2025”, ju bëjmë me dije sa më poshtë:
Gjatë procesit të marrjes në dorëzim të bazës materiale të dërguar nga KZAZ nr. 45 nr. 45, Peqin, nuk është evidentuar ndonjë rast ku fletë votimi të papërdorura të jenë administruar jashtë kutive të materialeve zgjedhore të kësaj KZAZ-je”, thuhet në shkresën e KQZ.
Më 23 maj, Nuri i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ekspertim të pavarur mbi materialet zgjedhore që ai pretendonte se ka kapur në në Peqin.
Kujtojmë se ngjarja u denoncua edhe nga kryedemokrati Sali Berisha, sipas të cilit në ambientet e një lokali në pronësi të kryeplakut të fshatit Pekisht, ka pasur fletë votimi dhe lista votuesish me vulë; karta identiteti; si dhe shuma të konsiderueshme parash në euro.
Ai vijoi akuzat se pronari i bar-kafesë ishte i lidhur me strukturat zgjedhore të PS-së në Bashkinë Peqin, konkretisht në KZAZ-në nr. 45, në qendrat e votimit 2292 dhe 2293. Pas këtij denoncimi, erdhi dhe reagimi i Policisë.
/rtsh.al/