Kërkesa e Presidentit, Bardhi: Po rrezikohet legjitimiteti i “Kushtetueses”

TIRANË, 30 janar/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi reagoi sot pas kërkesës së Presidentit Bajram Begaj drejtuar Gjykatës Kushtetuese për ripërtëritjen e mandateve të anëtarëve të kësaj gjykate.
Bardhi e quajti “akt të pashembullt” të Presidentit, në emër, sipas tij, dhe për llogari të kryeministrit, për të kapur Gjykatën Kushtetuese.
“Dënoj me forcë aktin e sotëm të Bajram Begajt, apeloj që kjo lojë që rrezikon legjitimitetin e vetë Gjykatës Kushtetuese, të ndalet menjëherë,” deklaroi Bardhi.
Bardhi theksoi se Kushtetuta qartësisht i ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9-vjeçar, që nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës.
“Akt i pashembullt i Bajram Begajt në emër dhe për llogari të Edi Ramës, për të kapur 100% Gjykatën Kushtetuese, është jo vetëm i dënueshëm, por edhe i papranueshëm. Kushtetuta qartësisht i ka dhënë gjyqtarëve në detyrë një mandat të plotë 9-vjeçar, që nuk mund të cenohet në asnjë rrethanë pas fillimit të detyrës. Cenimi i mandateve nënkupton cenimin e vetë pavarësisë së Gjykatës dhe parimeve themelore të shtetit të së drejtës”, deklaroi Bardhi.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, vuri në dukje se “me aktin e sotëm, Bajram Begaj nuk ka surprizuar askënd për rolin e tij si ushtar i bindur i Edi Ramës”.
“Por, guximi i tij për të shkuar deri te hedhja në erë e Kushtetutës vetëm që Edi Rama ta rrëmbejë Gjykatën Kushtetuese 100%, është përtej pritshmërisë së shërbimeve, edhe nga ushtari me gradën më të ulët,” tha Bardhi.
Begaj letër Kushtetueses: Sqaroni skemën e ripërtëritjes së trupës gjyqësore
/r.e/a.f/