E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkesa e re e PS: Duam rinumërim publik votash, në disa qarqe

Tiranë, 12 korrik NOA Partia Socialiste kërkoi sot rinumërim të votave, publikisht, për disa rajone të vendit, si Fier, Berat, Shkodër, Tiranë etj.

Kërkesa e re u prezantua pasdreken e së Dielës, nga zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj, në një dalje të posaçme për mediat.

Fillimisht, Imeraj foli për procesin e numërimit të votave në disa KZAZ të Fierit, marrë përsipër nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Imeraj paralajmëroi se duam me çdo kusht mandatin e 9 në Fier, duam pa asnjë kompromis rinumërimin publik të një sërë kutish në Berat, Shkodër, Tiranë dhe gjetkë, ku rezultati është deformuar me mekanizma të paligjshëm.

Askujt të mos i shkojë ndërmend, - theksoi Imeraj, - se ky proces i manipuluar do të mbetet pa zbardhur, qoftë deri në nxjerrjen e rezultatit dhe qoftë pas nxjerrjes së rezultatit, kur ne do kërkojmë hetimin e plotë të dokumentacionit zgjedhor, në një sërë gropash të zeza të 28 qershorit, dhe nuk do gjejmë paqe pa u ndëshkuar kushdo që ka shkelur ligjin dhe ka cenuar barazinë në zgjedhje.

Për Imerajn, vetëm transparenca para popullit sovran e shpëton parlamentin e ardhshëm nga mungesa e opozitës, e cila po u shkel në të drejtat e saj kushtetuese e ligjore mbi procesin zgjedhor, nuk do ta njohë parlamentin dhe do të ndjekë rrugën e protestave popullore për shpëtimin e demokracisë.

e.l/NOA

Njoftim: Ndalohet rreptësisht riprodhimi i plotë ose i pjesshëm i prodhimeve të agjencisë NOA, pa u cituar burimi, në të kundërt media abuzuese do të paditet në gjykatë dhe ndaj tyre do të kërkohet dëmshpërblim, konform dispozitave ligjore

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›