E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi dekreton krijimin e seksioneve penale për gjykimin e të miturve

Tiranë, 12 korrik NOA Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekreton krijimin e seksioneve penale për gjykimin e të miturve pranë gjykatave të rretheve gjyqësore.

Zyra informative e Topit njoftoi se dekreti erdhi në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe nenit 13, paragrafi 4 të ligjit nr. 7905, datë 21.03.1995 Kodi i Procedurës Penale, të ndryshuar, me propozim të ministrit të Drejtësisë.

Dekreti përcakton se në territorin e Republikës së Shqipërisë, seksionet penale për gjykimin e të miturve krijohen në: 

1. Gjykatën e rrethit gjyqësor Tiranë, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Dibër, Krujë, Kurbin, Mat dhe Tiranë. 

2. Gjykatën e rrethit gjyqësor Durrës, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Durrës dhe Kavajë. 

3. Gjykatën e rrethit gjyqësor Shkodër, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Lezhë, Kukës, Pukë, Shkodër dhe Tropojë. 

4. Gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Berat, Fier, Lushnje dhe Vlorë.

5. Gjykatën e rrethit gjyqësor Korçë, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Korçë dhe Pogradec.

6. Gjykatën e rrethit gjyqësor Gjirokastër, me kompetencë tokësore në rrethet gjyqësore Gjirokastër, Përmet dhe Sarandë.

7. Gjykatën e rrethit gjyqësor Elbasan, me kompetencë tokësore në rrethin gjyqësor Elbasan.

Sipas dekretit, ai i mëparshmi, nr. 5351, datë 11.06.2007 Për krijimin e seksioneve të veçanta penale për gjykimin e të miturve pranë gjykatave të rretheve gjyqësore, i ndryshuar, shfuqizohet.

Ndërkohë, Presidenca tha se ngarkohet Ministria e Drejtësisë për zbatimin e këtij dekreti i cili hyn në fuqi më 1 shtator 2009.

e.l/NOA 


Më shumë nga Politika

Të gjitha ›