Kërkesa në turizëm nuk po nxit prodhimin shqiptar, eksperti: Duhen lehtësira fiskale në bujqësi

Nga viti në vit, prodhimi vendas nuk p0 arrin të shfrytëzojë kërkesën në rritje të turizmit. Për periudhën janar- korrik, Shqipëria importoi mbi 606 mijë tonë produkte ushqimore, një rritje gati 13% krahasuar me vitin 2025. Por cilat janë arsyet që hoteleri- turizmi preferon produktet e importit?
“Ne duhet të ngrejmë ofertën e produkteve shqiptare për industrinë e turizmit. Duhet të punojmë fort për ta bërë konkurrues produktin vendas. Marrin shpesh produkte të një cilësie më të dobët nga importi. Mjafton që çmimi të jetë më i ulët. Në shumicën e rasteve, është çështje e çmimit. Industrisë i janë rritur shumë kostot. I kemi futur edhe një akcizë tjetër sipër, që nuk e ka asnjë vend tjetër në rajon”, tha eksporti i bujqësisë Alban Zusi.
Eksperti Zusi propozon rishikim të politikave fiskale për sektorin bujqësor dhe detyrim me ligj për hoteleri- turizmin, të blejë produkte vendase.
“Turizmi të shesë produktet tona. Nxitjen fiskale që ka, ta përkthejë në favorizim për produktin vendas dhe ky favorizim duhet të jetë i bërë me ligj. Pra, le të themi, 70-80% e të gjitha blerjeve duhet të jenë vetëm produkt vendas. Bëj si të duash. Jo, po e bën më të shtrenjtë produktin vendas sot. Bleje më lirë produktin atje ku të duash ti, por nuk do të paguash më 6%, do të paguash 20% TVSH”, theksoi eksperti.
Sipas të dhënave të tregtisë jashtme, nga 20 grupet kryesore të ushqimeve dhe produkteve bujqësore, 16 shënuan shtim të sasive të importuara.
Gazetar: H. Mahmutaj
/rtsh.al/