Kërkesat e pedagogëve, Berisha: Qeveria qëndrim arrogant, po shkohet drejt shuarjes së Universiteteve

Kryetari i Partisë Demokratike zgjedhur nga procesi i Rithemelimit, Sali Berisha në një deklaratë për media dënoi qëndrimin e qeverisë lidhur me kërkesat e bëra nga pedagogët. Berisha deklaroi se mosplotësimi i kërkesave të pedagogëve për rritje rroge dhe paralajmëimi i tyre për bojkot do çojë në shuarjen e Universiteteve. Duke krahasuar Universitetetet në Kosovë me ato në Shqipëri, Berisha tha se qeveria e Kosovës mbështet plotësisht pedagogët dhe studentët, ndërsa qeveria “Rama” vjedh dhe shpërdoron miliona euro për atë të cilën ai e cilëson si “afera e djegësave”.
“Sot, universitetet e vendit ishin në grevë dhe unë dua të përshëndes përzemërsisht të gjithë ata pedagogë, punonjës të universiteteve dhe studentë që iu përgjigjen thirrjes së sindikatave të tyre për të nisur një grevë të fuqishme e cila ka objektiv kryesor realizimin e kërkesave të ligjshme të sindikatës së universiteteve. Pas qëndrimit cinik arrogant të papërgjegjshëm të qeverisë, sindikata vendosi të thërrasë për bojkot të mësimeve në universitetet e vendit. Ky vendim që është vendim jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe që synon të parandalojë shuarjen e universiteteve tona. Pedagog, punonjësit e studentë të universiteteve nuk po kërkojnë asgjë tjetër veçse ato që sot gëzojnë kolegë të tyre të Universitetit të Prishtinës. Sot pagat janë dy herë më larta në Prishtinë se sa në Universitetet e Tiranës. Qeveria e Kosovës për shkak të rritjes së çmimeve vendosi të japë 100 euro për çdo student në mënyrë që të përballojnë rritjen e çmimit tëe transportit dhe qirave. Universiteti i Prishtinës ka një buxhet 6-8 herë më të lartë se ai i Tiranës për kërkimet shkencore. Qeveria e Kosovës ka një buxhet qartësisht më të ulët se Shqipëria, por në Shqipëri qindra milionë euro vidhen për tre djegësa që “de fakto” nuk ekzistojnë. Vidhen miliona euro dhe shpërdorohen, nga të cilat 4 milionë për xhepin dhe syrin e Ramës, për instalacion druri, 6 milionë euro për satelitët sepse sytë nuk lejojnë të shikojnë katet shtesë nga toka.
Qindra mijëra euro helikopterë taksi për mbledhje partie shpenzojnë ministrat shqiptarë. Pra, e vërteta është që para ka, por ato nuk shkojnë në destinacionin e duhur, nuk shndërrohen në rroga, në bursat, në pensionet për punonjësit në Shqipëri, por shndërrohen në fonde që vidhen dhe shpërdorohen nga qeveritarët. Kërkoj plotësimin e menjëhershëm të kërkesave të sindikatës së Universiteteve. Iu bëj thirrje qytetarëve që të mbështesin kauzën e drejtë të universiteteve tona”, tha Berisha.
Më tej, kreu demokrat ka paralajmëruar protesta të fuqishme, ndërsa ka denoncuar atë që e konsideron si “afera e inceneratorëve”. Sipas tij, askush nuk mund të tallet me djersën dhe mundin e qytetarëve shqiptarë.
“Sot dua të denoncoj parodinë që po ndodh me aferën e inceneratorëve. Ne shumë shpejt do u prijmë protestave të fuqishme.Nuk mundet askush të tallet më me kafshatën, mundin e djersën e qytetarëve shqiptarë. Ajo që ndodhi me Engjëll Agaçin ishte një parodi tallëse. Denoncojmë publikisht këtë qëndrim dhe u them shqiptarëve se përgjegjës absolut, të parët për aferën e djegësve janë vetëm 2, Edi Rama dhe Agaçi. Agaçi dhe Edi Rama që fimos për xhepat e tij, fap fap fap dhe paf paf paf”, tha Berisha.
/rtsh.al/