E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërkime shkencore me Inteligjencë Artificiale, Universiteti i Korçës merr mbështetjen e TIKA

Ofrimi i një infrastrukture moderne për kërkime shkencore të avancuara, me fokus zbatimin e Inteligjencës Artificiale në disa fusha nga studentët e Universitetit “Fan S.Noli” në Korçë, ishte në qendër të një marrëveshje bashkëpunimi mes disa institucioneve.

Projekti “Infrastruktura e shkallëzuar e përpunimit të të dhënave për hulumtim bashkëpunues ndërmjet fakulteteve të UNIKO” u iniciua nga Këshilli i Qarkut Korçë në bashkëpunim me Agjencinë Turke për Bashkëpunim e Koordinim TIKA dhe Universitetit të Korçës.

“Mendoj fort që ky projekt do të jetë një hap i parë në Universitetin e Korçës, që do të sjellë një përmirësim në mbledhjen e informacioneve për degë të ndryshme të universitetit. Ky laborator nuk do të jetë vetëm në funksion të tij, por për të gjithë akademikët që bëjnë kërkime në fusha të ndryshme,” tha Mustafa Ata, koordinator i programit TIKA në Tiranë.

“Universiteti i Korçës ta shikojë si një mundësi zhvillimi për të rinjtë tanë dhe për personelin akademik që mendoj se ka forcën dhe energjinë e duhur që ta shumëfishojë këtë investim,” u shpreh Erjon Nexhipi, kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë.

“Ky do të jetë një nga hapat e rëndësishëm që po bëjmë ne për transformimin e Universitetit në një qendër ekselence për rajonin,” tha Prof. Dr. Lorenc Ekonomi, rektori i Universitetit “Fan S. Noli”.

“‘Data centre’ është hapi i parë për implementimin e gjerë të Inteligjencës artificiale në Universitetin dhe Fakultetin tonë, kështu që është një qendër shumë e rëndësishme, e cila do të sjellë një zhvillim të mëtejshëm të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit,” theksoi Prof. As. Dr. Rafail Prodani, dekani i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Humane.

Ky bashkëpunim synon edhe nxitjen e bashkëpunimit ndërdisiplinor, mbështetjen e kapaciteteve kërkimore për pedagogë dhe studentë, dhe kontributin në zhvillimin gjithëpërfshirës të rajonit të Korçës.

Gazetare: Geralda Manushi

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›