Kërkimi i naftës në det, TERHIQEN grekët
Pas reagimeve të palës shqiptare lidhur me kërkimet greke në Jonin verior ka ardhur dhe përgjigja e parë e Greqisë. Sipas burimeve nga Ministria greke e Zhvillimit dhe Infrastrukturës, anija Nordic Explorer ka filluar kërkimet 43 milje në perëndim të ishullit Kefaloniase dhe jo në veri të detit Jon, siç ishte programuar me parë.
Top Channel ka monitoruar lëvizjet e anijes në sistemin e përcaktimit global GPS dhe e gjeti anijen pikërisht në zonën që njoftuan burimet. Burimet thanë se zyrtarisht ndryshimi i zonës së kërkimit u bë prej kompanisë norvegjeze, e cila do të testojë aparaturat e saj të teknologjisë së lartë në një zonë që është pothuaj e sigurt se ndodhen rezerva hidrokarburesh siç konsiderohet kuadrati i Jonit jugor Katakolos dhe gjiri i Patrës e në vazhdim do të vazhdojë kërkimet sipas programit të parashikuar prej kompanisë.
Të pyetura prej Top Channel, burimet thane se ndryshimi i planeve u bë gjatë mbrëmjes të së dielës, vetëm pak orë pas përfundimit të ceremonisë së pritjes që i ishte bërë anijes Nordic Explorer në portin e Patras prej zyrtarëve të lartë të kësaj Ministrie. Ndonëse zyrtarisht shkaqet e shtyrjes së kërkimeve në pjesën veriore të detit Jon dhe pjesës së diskutueshme të detit midis Greqisë dhe Shqipërisë u shtynë për arsye teknike, mësohet se Greqia është tërhequr për pak kohë nga plani i kërkimit të naftës, derisa të gjendet një formulë me palën shqiptare ose në rastin më të mirë, firmosjen e një marrëveshje të re midis dy vendeve për delimitimin e ujërave teritoriale.
Por duke u nisur nga koha e kufizuar që kjo kompani do të ketë për kërkime, vetëm 3 muaj, një zgjidhje e tillë duket shumë e vështire të bëhet pasi dy vendet po zhvillojnë bisedime vetëm në nivel shumë të lartë politik, pa u dhënë më parë hapësirën e duhur ekspertëve të fushës. Kjo shton dyshimet se edhe marrëveshja e re do të kontestohet nga grupime politike dhe do t’ju japë krah ekstremistëve në dy anët e kufirit të akuzojnë qeveritë e vendeve të tyre për tradhti dhe shitje të interesave kombëtare. Kërkimet për naftë në detet greke pritet të konfirmojnë praninë e më tepër se 1 miliard fuçi nafte, sasi që do t’i lejojë Greqisë të sigurojë përfitime miliarda eurosh gjatë 20 viteve të ardhshme.
