E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërkohej për trafik droge, kapet 51 vjeçari. Do ekstradohet drejt Italisë

Policia ka vendosur në pranga një 51-vjeçar i cili ishte dënuar nga Gjykata e Torinos, me mbi 4 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.

Ai është kapur në Maminas dhe do të ekstradohet drejt Italisë.

“Në vazhdën e operacioneve të zhvilluara nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve në ndërkombëtar që fshihen në Shqipëri, si dhe si rezultat i bashkëpunimit me homologët e Policisë italiane, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Operacionalja 34”. 

Gjatë operacionit, është kapur në Maminas dhe është arrestuar me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Albert Koni, 51 vjeç, banues në Maminas”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Koni ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Torinos në Itali, me vendimin e datës 10.01.2025, e ka dënuar me 4 vjet, 5 muaj dhe 21 ditë burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.

Ndërkaq, Interpol Tirana dhe Interpol Roma do të kryejnë procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›