Biseda telefonike Trump-Putin për Ukrainën “po shkon mirë”

Zëvendës shefi i shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, postoi një përditësim në rrjetet sociale për bisedën telefonike mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, duke konfirmuar se ajo tanimë është duke u zhvilluar, shkruan The Guardian, transmeton RTSH.
Telefonata mes Trump dhe Putin për armëpushimin në Ukrainë është duke u zhvilluar , njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Konkretisht, siç konfirmohet nga një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë, ka nisur biseda mes Trump dhe Putin.
Zëvendës shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Dan Scavino, shkroi në X se Trump “aktualisht” është duke biseduar me Putinin.
“Thirrja po shkon mirë dhe është ende në vazhdim”, shtoi ai.
Të dy udhëheqësit pritet të diskutojnë propozimin e SHBA për një armëpushim 30-ditor në Ukrainë, të cilin Ukraina e ka pranuar.
Ky është komunikimi i dytë dhe më i rëndësishëm mes dy liderëve për zhvillimin e luftës, në të cilën pritet të vendosen edhe kushte territoriale, për të cilat pritet një pazar i ashpër.
Pak para bisedës së tyre, në një postim në platformën e tij “Truth Social”, Trump tha se ai “po priste me padurim” thirrjen dhe u zotua se lufta “duhet të përfundojë tani”.
Presidenti amerikan, në deklaratat në fillim të kësaj jave, tha gjithashtu se diskutimet me Putinin do të kishin të bënin me “tokën, termocentralet” dhe “ndarjen e aseteve të caktuara”.
Nga ana tjetër, Vladimir Putin, sipas Bloomberg , do të kërkojë, si parakusht, “një pezullim të të gjitha dërgesave të armëve në Ukrainë gjatë armëpushimit të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump”.
“Më e pakta që Moska do të pranonte është që SHBA të ndalojë dërgimin e ndihmës në Kiev, ndërsa Evropa duket jashtëzakonisht ngurruese për të rënë dakord,” vëren botimi.