E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërkohet bashkëpunimi i Greqisë për lehtësimin e lëvizjes

Zyra e Shtypit e MB-së bën të ditur se këtë kërkesë ministri Basha e përsëriti edhe gjatë takimit me punonjës të policisë kufitare greke, në mënyrë që kthimi i emigrantëve shqiptarë në Greqi të jetë sa më i lehtë.

Përfaqësuesi i Pikës greke të Kalimit Kufitar të Kristalopigjis, Kostas Jançulis shprehu gatishmërinë e policisë kufitare greke për të bashkëpunuar në këtë drejtim.

"Kemi një bashkëpunim shumë të mirë me palën shqiptare. Unë jam nga më të vjetrit në këtë pikë dhe bashkëpunimi këtë vit ka qenë më i mirë se asnjëherë më parë, pasi tani dhe procedurat e kalimit i kemi të njëjta. Një ndihmesë të madhe kanë dhënë edhe pasaportat e reja biometrike", tha ai.

Ministri Basha pa nga afër procedurat që zhvillohen për kontrollin dhe kalimin e qytetarëve për në shtetin grek dhe anasjelltas. Afro 200 mijë qytetarë kanë hyrë në Shqipëri nëpërmjet kësaj pike të kalimit kufitar që nga fillimi i muajit qershor deri më tani.

Ndërsa në takimin me drejtuesit e strukturave policore të Qarkut të Korçës, ministri Basha vlerësoi faktin se falë masave të ndërmarra është garantuar rendi e qetësia gjatë sezonit turistik e po kështu janë arritur rezultate në drejtim të parandalimit, zbulimit dhe goditjes së veprave penale.

Një rëndësi të veçantë në takim ministri Basha i kushtoi masave të marra për sigurinë në qarkullimin rrugor, gjë për të cilën kërkoi zero tolerancë ndaj shkeljeve dhe zbatim rigoroz të normave ekzistuese në mungesë të Kodit te ri Rrugor, i cili përmban masa më të ashpra.

"Fatkeqësisht nuk u arrit që të miratoheshin ndryshimet në Kodin Rrugor, megjithatë struktura e re, mjetet që janë vënë në dispozicion kanë përgjegjësinë e plotë që nëpërmjet një qëndrimi thellësisht rigoroz të parandalojnë dhe godasin çdo shkelje në qarkullimin rrugor", tha Basha.

Ministri Basha u njoh në takim edhe me rezultatet e punës së Policisë Kufitare për parandalimin e kalimit të paligjshëm të kufirit, trafikut të narkotikëve apo të mallrave kontrabandë si dhe evidentimin dhe bllokimin e dhjetëra makinave të vjedhura, dokumentave false e po kështu të ndalimit të personave në kërkim.

Në këtë kuadër ministri Basha kërkoi vëmendje maksimale për kontrollin e kufirit të gjelbër, ndërkohë që u ndal edhe tek riorganizimi i burimeve njerëzore të Policisë Kufitare pas liberalizimit të vizave.

Liberalizimi i vizave do të sjellë një lehtësim përsa i përket kalimit të paligjshëm të kufirit, tha Basha, "por do të sjellë në të njëjtën kohë edhe një kapacitet të shtuar tuajin që deri në këtë kohë e keni përdorur për shkelësit e kufirit, i cili duhet vendosur në mënyrë të prerë në përforcimin e kufirit përsa i përket kontrabandës, trafikut të narkotikëve apo trafiqeve të tjera të paligjshme".

Ministri i Brendshëm kërkoi bashkëpunim maksimal mes të gjitha strukturave policore dhe përdorimin aktiv të informacionit kriminal që ofrohet nga sistemi MEMEX e po kështu të lidhjes me bazën e të dhënave të INTERPOL-it.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›