Koncerti për Nënë Terezën më 26 gusht

Tiranë, 21 gusht - Ditëlindja e Nënë Terezës, më 26 gusht, do të kujtohet në Tiranë me një sërë aktivitetesh. "Rruga e jetës" është titulli i koncertit jubilar që do të organizohet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit me rastin e 100-vjetorit të lindjes së Nënë Terezës. Me regji të Milto Kutalit, skenografi të Platon Bardhit dhe dirigjent Kori Dritan Lumshi, në këtë koncert do të ketë edhe një pjesëmarrje të veçantë të recitueses Roza Anagnosti. Dirigjent i këtij koncerti është Zhani Ciko (Mjeshtër i Madh). Solistët që do të interpretojnë janë Marjana Leka, Eva Golemi, Armaldo Kllogjeri, Shpresa Beka, Armando Likaj, si edhe kori me Orkestrën Simfonike të T.K.O.B. Mësohet se të ftuar nga Kalkuta e Indisë janë Debapriya Adhikary, Samanwaya Sarkar dhe Madhurjya Ranjan Barthakur, transmeton Balkan Web. Ndërkaq, pritet që në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të hapet ekspozita "Dymbëdhjetë shenjtorët", ku do të paraqiten vepra për Nënë Terezën dhe për figura të tjera të fesë së krishtere që kanë lidhje me botën shqiptare, të shpallur shenjtore nga Selia e Shenjtë. Në ambiente të hapura do të shfaqen filma dokumentarë e po më datën 26 gusht, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar hapet një ekspozitë kushtuar Nënë Terezës, me foto dhe objekte të saj.