E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërkoi të shkonte me varkë në Angli, Franca e dënon me katër muaj burg



Gjykata e Lionit në Francë ka dënuar me katër muaj burg një shqiptar, i cili tentoi të grabiste një barkë dhe të arratisej drejt Anglisë. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se vendimi është dhënë ditën e martë dhe pas përfundimit të dënimit ai do të ekstradohet në Shqipëri. Mediat vendase bëjnë të ditur se i riu shqiptar tentoi para disa ditësh që të marrë varkën e ankoruar në portin e Lionit, por ai u ndalua nga rojat bregdetare pa arritur që të realizonte planin për të udhëtuar drejt Britanisë së Madhe. Avokati i 20-vjeçarit nga Shqipëria i tha AFP-së se klienti i tij ishte në Francë për një garë karateje dhe se barkën e kishte marrë për të bërë një xhiro. Gazeta lokale “Le Progres” tha se i arrestuari kishte planifikuar për të kërkuar azil në Francë. Por vendimi i dhënë nga gjykata, duke e dënuar me katër muaj burg, i heq atij të drejtën për qëndrimin. Qindra emigrantë që vijnë nga vendet e Europës Lindore, Azisë, Afrikës dhe Lindjes së Mesme, tentojnë në mënyrë ilegale që të kalojnë nga Franca drejt Britanisë përmes linjave detare, pasi udhëtimi në destinacionin e kërkuar është i shkurtër.
Ngjarja
I riu shqiptar ka ndërmarrë një aventurë të rrezikshme po aq edhe të guximshme, duke vjedhur një varkë në qytetin Lion të Francës, me të cilën tentoi të mbërrinte në Britaninë e Madhe. Detajet e kësaj ngjarjeje i ka bërë publike agjencia franceze e lajmeve “AFP”.
Njëzetvjeçari shqiptar është arrestuar të dielën, më 25 tetor 2009, pasi policia e pikasi duke tentuar manovrimin e varkës 30 metra të gjatë, e cila përdorej nga autoritetet ujore franceze. Varka ishte e ankoruar në një lumë në zemër të qytetit Lion. Nëse shqiptari do të ishte i suksesshëm në aventurën e tij, ai duhet të përshkonte me varkë 180 milje, duke kaluar, përmes lumit Rhone, në detin Mesdhe dhe më pas në oqeanin Atlantik për në Angli.
Statistikat
Nga të dhënat e studimit të fundit, të kryer nga IOM, rezulton se 19 për qind e emigrantëve kanë hyrë në vendet pritëse pa dokumente të rregullta. Krahasuar me disa vite më parë, fenomeni i emigracionit të parregullt ka shënuar ulje, por ende mbetet çështje mjaft problematike. Pjesa më e madhe e personave që kanë emigruar pohojnë se kanë dhënë pagesa nën dorë qoftë për të përfituar vizën, qoftë për të kërkuar azil apo për të hyrë në mënyrë klandestine. ”Kjo gjetje tregon se pagesa nën dorë mund të lehtësojë migracionin në një vend destinacioni, por ndërkaq mund të pengojë marrjen e statusit të rregullt në atë vend”, - saktëson studimi mbi identifikimin e zonave më të prekura nga migracioni në vendin tonë. Sipas tij, rreth 68 për qind e personave të anketuarve pohojnë se në vendet ku kanë emigruar janë shfrytëzuar si krah pune pa u paguar sa duhet. Sa i përket kohëzgjatjes mesatare të migracionit ndërkombëtar, ajo afërsisht është 6 vjet. Vendi ku të anketuarit kanë pranuar se kanë qëndruar me gjatë se kaq është Greqia.

Të rinjtë zihen me thika, plagoset rëndë një prej tyre

Një sherr me thika mes dy të rinjve ka përfunduar me arrestimin e autorit, ndërsa i plagosuri ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Burimet bëjnë të ditur se rreth orës 14:00 të ditës së sotme, në lagjen “Qemal Stafa” të qytetit të Shkodrës, pikërisht te vendi i quajtur Ura Dervishbeg, është plagosur me thikë në këmbë shtetasi Redi P., 18 vjeç, lindur e banues në lagjen “Q. Stafa”. Sipas tyre, i lënduari ndodhet në mjediset e Spitalit Rajonal, jashtë rrezikut për jetën. Policia identifikoi menjëherë autorin dhe pak më vonë arrestoi autorin e ngjarjes, shtetasin Elfad S., 17 vjeç, lindur e banues në lagjen “Daniel Matlia”, në qytetin verior. Vetëm 15 minuta pas plagosjes adoleshenti është prangosur në zonën e banimit të tij. Burimet policore shtojnë se dosja në ngarkim të Elfad S. po i dërgohet prokurorisë, pasi ai akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë.

E keqtrajton gruaja dhe djali, bën denoncim
Një 60-vjeçar ka kërkuar ndihmën e policisë pasi dhunohej fizikisht dhe psikologjikisht nga ish-bashkëshortja dhe djali i tij. Ngjarja ka ndodhur dje kur Vladimir H., 60 vjeç, lindur në Gjirokastër e banues në Tiranë, ka deklaruar në polici se ish-bashkëshortja H. H. dhe djali i saj F. M. kanë ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj tij. Burime nga policia thanë se të moshuarit iu plotësua kërkesë-padia për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes
Kërkon të djegë veten me benzinë, shmanget tragjedia
Një i sëmurë mendor ka tentuar të djegë shtëpinë dhe veten tij duke u lyer me benzinë. Burime nga policia thanë se ka qenë vëllai i të sëmurit, A. K., i cili ka lajmëruar policinë për ngjarjen. Mësohet se i sëmuri ka marrë një shishe benzinë ditën e djeshme dhe ka lagur mobiliet e banesës së tij, që ndodhet në rrugën “Ali Demi” në Tiranë. Më pas ka lyer edhe veten. Familjarët e tmerruar janë përpjekur të ndalojnë veprimin fatal që po tentonte të ndërmerrte i sëmuri, por në pamundësi për ta ndaluar atë, kërkuan ndihmën e policisë. Forca të shumta policie mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes për të neutralizuar veprimet e të sëmurit mendor, i cili për pak rrezikoi tragjedinë. Ai u transportua menjëherë nga forcat e policisë në spital.

Ekstradohet nga Italia trafikanti i drogës

Bashkëpunimi i Policisë shqiptare dhe asaj italiane ka bërë të mundur ekstradimin nga vendi fqinjë të një shtetasi të kërkuar nga Drejtësia jonë për trafik droge. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se dje, rreth orës 12:30, nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Roma - Itali, drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar Edison Arkimet Begaj, lindur dhe banues në Vlorë. Sipas tyre, 29-vjeçari Begaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, më datë 1 dhjetor 2008, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për kryerjen e veprës penale “trafikim lëndësh narkotike” dhe “trafikim të armëve dhe municioneve luftarake”. Më 19 shkurt të vitit të kaluar policia gjeti dhe sekuestroi në fshatin Ndërmenas të Fierit një sasi prej 284 kg bimë narkotike, 5 armë zjarri automatike dhe municione luftarake. I dyshuari kryesor, i përfshirë në trafik ishte Begaj, i cili u arrestua në Itali më 25.03.2009. Vetëm sot është bërë ekstradimi i tij dhe tashmë pritet vazhdimi i procesit gjyqësor për veprat penale që akuzohet.

Kapet pas dy vitesh i dënuari për vjedhje

Ndalohet një 18-vjeçar i dënuar nga Drejtësia me 2 vjet burg për kanosje dhe vjedhje. Burimet policore pohojnë se “sektori i Operacioneve Speciale dhe Kërkimit realizoi kapjen e shtetasit në kërkim Liridon Frroku, 18 vjeç, lindur në Laç dhe banues në Tiranë”. Sipas tyre, “Prokuroria e Krimeve të Rënda Tiranë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda Tiranë, e cila e ka dënuar me 2 vjet burg, për veprën penale “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie, e kryer në bashkëpunim” dhe të “vjedhjes me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.

Shpërthim eksplozivi në kampin e Qafë-Shtamës

Një sasi lënde eksplozive ka shpërthyer në mjediset e ish-kampit të Qafë-Shtamës në Krujë, duke shkaktuar dëme materiale, por ka shënuar viktima ose të plagosur. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se rreth orës 10:00, në vendin e quajtur fshati Qafë-Shtamë dhe pikërisht te ish-kampi i Qafë-Shtamës, persona të paidentifikuar kanë dëmtuar me lëndë eksplozive një nga kabinat e këtij kampi, që aktualisht janë të pabanuara, duke dëmtuar dy faqet e murit të anës verilindore, si dhe tavanin e katit të dytë të saj. Sipas tyre, kjo banesë është pronë e shtetasit Kujtim Shkreli. Policia nisi verifikimet për shkaqet e këtij shpërthimi dhe autorët, ku dyshohet se një gjë e tillë mund të ketë ndodhur për motive pronësie.

31 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›