Konflikti për truallin, Reagon ashpër Bashkia e Tiranës: Qeveria po cenon pronën private
Emanuela Sako
Pas ngjarjes së ndodhur dy netë më parë, Bashkia e Tiranës ka reaguar ashpër duke akuzuar qeverinë për cenim të pronës private.
Administratori i Përgjithshëm i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli, në lidhje me konfrontimin e ndodhur në orët e mbrëmjes mes Policisë së Shtetit dhe asaj bashkiake, në qendër të kryeqytetit, u shpreh se Bashkia e Tiranës disponon fakte që vërtetojnë se është shkelur ligji. Agolli bën të ditur se pushteti vendor do të mbrojë të drejtën për pronarët e ligjshëm të truallit. ”Bashkia e Tiranës deklaron publikisht se do të gjendet gjithmonë në krah të pronarëve legjitimë dhe të biznesit të ligjshëm. Bashkia e Tiranës deklaron publikisht se do të gjendet përballë dhe nuk do të gjunjëzohet nga cilido që do t’i bëjë presion e t’i hedhë baltë apo që kërkon të cenojë të drejtat e saj që ia garanton kushtetuta dhe ligji, qofshin këta policë të urdhëruar apo padronë të veshur me pushtet”,- u deklaroi Agolli.
Situata
Bashkia e Tiranës bëri publike gjithashtu të gjitha vendimet e KRRT-së në lidhje me truallin që ndodhet midis Rrugës së Durrësit dhe të Kavajës, e cila është kthyer në mollë sherri mes pushtetit vendor dhe atij qendror. Pretendimet e Bashkisë janë të dokumentuara në një raport me të dhëna të detajuara për situatën. Drejtuesit e këtij institucioni japin faktet që disponojnë se është shkelur ligji. “Viti 2004, KRRT e republikës, e drejtuar nga kryeministri Fatos Nano, me vendim numër 1 datë 27.4 miraton studimin e qendrës të njohur ndryshe si studimi francez, duke miratuar një objekt polifunksional në këtë pronë. Viti 2008, dy kompani shqiptare, në marrëveshje me pronarët e tokës dhe në përputhje me studimin e miratuar, pajisen me leje ndërtimi nga KRRT-ja, e përbërë nga anëtarë të zgjedhur nga përfaqësuesit e PS, PD dhe LSI në këshillin bashkiak. Arsyet e këtij kalvari ku parakalojnë kryeministrat e këtij vendi i takon t’i zbardhin organet e specializuara, jo të Bashkisë së Tiranës”,- shprehet Dritan Agolli, Administrator i Bashkisë.
Vendimet
Autoritetet e Bashkisë shprehen se prona për të cilën bëhet fjalë është në pronësi private të Komunitetit Mysliman dhe bashkëpronarëve të familjes Kika. Ky fakt është i vërtetuar me Certifikatë Pronësie dhe dokumentet përkatëse që vërtetojnë pronësinë. Kjo pronë ka një histori 14 vjeçare miratimi lejesh, histori ku gjenden emrat e të gjithë kryetarëve të bashkive dhe kryeministrave të mëparshëm. Vendimet për truallin nisin që në vitin 2004, kur KRRT-ja e republikës, e drejtuar nga kryeministri Fatos Nano, me vendim numër 1 datë 27.4 miraton studimin e qendrës të njohur ndryshe si studimi francez, duke miratuar një objekt polifunksional në këtë pronë. Pas një viti, më 1995 ka një vendim tjetër të KRRT-së dt. 24/2, ku miratohet sheshi për kompleks hotelesh, qendër tregtare, në favor të një kompanie malajziane. Në të njëjtin vit, kjo leje miratohet në KRRT-në e Republikës, nga kryeministri Aleksander Meksi. Po për të njëjtën çështje ka dy vendime të vitit 1996, më pas të 2001 dhe 2004. Vendimi I fundit është ai i vitit 2008, ku dy kompani shqiptare, në marrëveshje me pronarët e tokës dhe në përputhje me studimin e miratuar, pajisen me leje ndërtimi nga KRRT-ja, e përbërë nga anëtarë të zgjedhur nga përfaqësuesit e PS-së, PD-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak.
box
Vendimet e KRRT-së për pronën
Prona për të cilën bëhet fjalë është në pronësi private të Komunitetit Mysliman dhe bashkëpronarëve të familjes Kika, e vërtetuar me Certifikatë Pronësie. (dokumentet)
Kjo pronë ka një histori 14 vjeçare miratimi lejesh, histori ku gjejmë emrat e të gjithë kryetarëve të bashkive dhe kryeministrave të mëparshëm.
Viti 1995 - Vendim i KRRT-së 4, dt. 24/2 miratohet sheshi për kompleks hotelesh, qendër tregtare, në favor të një kompanie malajziane. Në të njëjtin vit, kjo leje miratohet në KRRT-në e Republikës, nga kryeministri Aleksander Meksi.
Viti 1996 - Vendim i KRRT-së nr. 2, dt. 22/2 miratohet leje për rrethim e sheshit, në favor të së njëjtës firmë.
Viti 1996 - Vendim i KRRT-së nr. 9, dt. 16/4 miratohet plotësimi i kondicioneve urbane, për leje ndërtimi në favor të kompanisë malajziane. Në të njëjtin vit, me Vendim nr. 33 dt. 17/4, KRRT e Republikës, e drejtuar nga Kryeministri Aleksander Meksi, miraton sheshin e ndërtimit për të njëjtën kompani.
Viti 2001 - me Vendim nr. 8 dt. 21/5, KRRT e Republikës, e drejtuar nga Kryeministri Ilir Meta vendos fillimin e punimeve për kompleks hoteleri, qendër tregtare, në favor të një tjetër kompanie malajziane.
Viti 2004 - KRRT e Republikës e drejtuar nga Kryeministri Fatos Nano, me Vendim nr.1, dt.27/4, miraton studimin e qendrës, i njohur ndryshe si studimi francez, duke miratuar një objekt polifunksional në këtë pronë.
Viti 2008 - Dy kompani shqiptare, në marrëveshje me pronarët e tokës dhe në përputhje me studimin e miratuar, pajisen me leje ndërtimi nga KRRT, e përbërë nga anëtarë të zgjedhur nga përfaqësuesit e PS-së, PD-së dhe LSI-së në Këshillin Bashkiak.
2 Nentor 2009