E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kërkon lirinë me kusht, shtyhet për më 24 qershor seanca për Salianjin

Është mbajtur seanca e parë në lidhje me kërkesën për lirimin me kusht të Ervin Salianjit në Gjykatën e Fierit. Seanca është shtyrë pasi IEVP Fier nuk ka paraqitur dokumentacionin e plotë. Salianji ka përmbushur 2/3 e dënimit me burgim, ndërsa në seancën e sotme nuk ka qenë i pranishëm por është përfaqësuar nga avokati i tij Ledio Braho.

Ky i fundit në një deklaratë për medie, u shpreh se ditën e sotme kanë relatuar kërkesën me elementë objektivë dhe subjektivë, ku argumentohet se Salianji duhet të përfitojë lirinë me kush para kohe.

“Sot ishte seanca e parë, mungonte raporti i vlerësimit nga IEVP Fier dhe seanca u shty për ditën e martë. Të pranishëm sot ishin të gjitha palët. Ne bëmë relatimin e kërkesës sonë, gjithë argumentet, si ato me elementin objektiv ashtu dhe për ato subjektive që z. Salianji i plotëson të gjitha kushtet për të përfituar lirinë me kusht para kohë. Ai nuk duhej të ishte fare aty. Por besoj do jetë maksimumi dhe dy seanca për të pasur një vendim. Tentativat e mëparshme, që është gjykimi në themel,  ai ka qenë në të drejtën e tij, dhe këtu është në të drejtën e tij dhe besoj do jetë e suksesshme”, deklaroi avokati.

Salianji ndodhet në burgun e Fierit që prej datës 27 Shtator 2024, kur vendimi për dënimin e tij me 1 vit burg u la në fuqi nga Gjykata e Apelit  dhe më pas u konfirmua edhe nga Gjykata e Lartë. Salianji u dënua me akuzën e “ kallëzimit të rremë” për dosjen “ Babale” pas denoncimit publik të vëllait të ish- ministrit të brendshëm Fatmir Xhafaj ndërkohë që ai vetë dhe Partia Demokratike e kanë konsideruar këtë dënim si një vendim politik të diktuar nga mazhoranca qeverisëse. Në reagimet e tij publike ish – deputeti demokrat ka pohuar se çështjen do ta çojë për ankimim në Strasburg. Gjyqtar i çështjes për liri me kusht të Salianjit është Noel Veiz.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›