Kerry më 9 gusht takohet me Lavrov në Washington

Ndonëse presidenti amerikan e ka anuluar takimin kokë me kokë me presidentin rus, Vladimir Putin gjatë kohës kur në Rusi do të mbahet takimi i 20 shteteve më të industrializuara në botë, sekretari amerikan i shtetit, John Kerry do ta takojë më 9 gusht homologun e tij rus, Sergei Lavrov në kryeqytetin amerikan, Washington.
Lajmi është bërë i ditur nga zëdhënësja e departamentit të shtetit, Jen Psaki e cila ka thënë se megjthë takimin e dy kryediplomatëve, sekretari i shtetit pajtohet që samiti Obama – Putin nuk ka pasur kuptim të mbahet.
Anulimi i samitit Obama Putin nga amerikanët u bë pas zhgënjimit amerikan me vendimin e Rusisë që t’ia pranojë kërkesën për azil, ish kontraktorit të inteligjencës amerikane, Edward Snowden.
Ky i fundit në muajin qershor ja ka dhënë gazetës londineze, The Guardian një numër jashtëzakonisht të madh të dokumenteve sekrete ku zbulonte programin masiv amerikan të vëzhgimit të internetit dhe telefonatave./Indeksonline/