Këshilli Kombëtar i PD-së mblidhet në fillim të Shkurtit
Kryeministri Sali Berisha, njëkohësisht Kryetar i Partisë Demokratike deklaroi dje se "mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së u shty për shkak të situatës së krijuar nga përmbytjet, e cila u menaxhua në mënyrën më të përgjegjshme". "Nuk mund të shkëpusja eksponentë të rëndësishëm të partisë, të cilët ishin ditë e natë në krye të procesit të menaxhimit", tha Kryeministri. Ai siguroi se "gjatë 10-ditëshit të parë të shkurtit, Këshilli Kombëtar do të mblidhet për të zgjedhur kryesinë, sekretetarët dhe udhëheqjen e partisë".Kuvendi i IX Kombëtar i Partisë Demokratike që u mblodh në 14 dhjetor 2009, rikonfirmoi Kryeministrin Sali Berisha në krye të partisë me 1208 vota pro nga 1218 delegatë, që morën pjesë në votim, ndërkohë që 5 vota ishin kundër dhe po kaq vota (5), abstenime. Delegatët e këtij Kuvendi votuan edhe për zgjedhjen e 100 anëtarëve të Këshillit Kombëtar, një nga forumet më të rëndësishme të partisë.