E Enjte, 5 Nëntor 2026

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë: Nuk ndryshon norma bazë e interesit për lekun

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, në mbledhjen e sotme vendosi të mos ndryshojë normën bazë të interesit për lekun, kjo nisur nga vënia nën kontroll e inflacionit, duke mos e cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij.

Guvernatori i Bankës Shqipërisë, Gent Sejko, në konferencën për shtyp të së mërkurës, tha se “Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, pasi diskutoi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe ecurinë e pritshme të tyre, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit për lekun në nivelin 3.0 %”.

Sejko tha se “qëndron e pandryshuar norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 2.0 % dhe mbetet e pandryshuar norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë, në nivelin 4.0 %”.

Guvernatori bëri të ditur se, zhvillimet ekonomike dhe monetare të gjysmës së parë të vitit kanë qenë në linjë me pritjet tona. “Vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje, ndërsa inflacioni shënoi një rënie të ndjeshme. Kjo ecuri sugjeron se ekonomia shqiptare po lë pas pasojat e goditjes që pësuam nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë vitit 2022 – 2023”, tha ai.

Sipas tij, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në këtë ecuri. Normalizimi i kujdesshëm i qëndrimit të politikës monetare arriti të vërë inflacionin nën kontroll, duke mos cenuar trendin pozitiv të zhvillimit të vendit dhe stabilitetin financiar të tij.

“Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se trendet pozitive të zhvillimit do të vijojnë edhe në të ardhmen. Në veçanti, ekonomia shqiptare pritet të vijojë të rritet në afatin e mesëm, me norma të qëndrueshme dhe pranë potencialit, ndërkohë që inflacioni pritet të qëndrojë pranë niveleve aktuale për pjesën e mbetur të vitit dhe të kthehet në objektiv gjatë gjysmës së parë të vitit tjetër.

Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm”, deklaroi Sejko.

Guvernatori informoi gjithashtu se, në çdo rast, vendimet e ardhshme të politikës monetare do të kushtëzohen nga informacioni i ri, si dhe do të jenë konsistente me kahun e politikës fiskale dhe ecurinë e kursit të këmbimit.

/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›