E Martë, 3 Nëntor 2026

Këshilli i Evropës publikon konkluzionet për Kosovën dhe Serbinë

Këshilli i Evropës në konkluzionet e publikuara për Kosovën dhe Serbinë pas samitit të së enjtes në Bruksel dënuan ashpër sulmin e 24 shtatorit në veri, ndërsa shprehën keqardhje që dy vendet nuk kanë zbatuar marrëveshjet e dala nga dialogu në Bruksel, duke paralajmëruar pasoja nëse dështojnë me uljen e tensioneve.

“KE i bën thirrje Kosovës dhe Serbisë që t’i zbatojnë marrëveshjet pa vonesë ose parakushte. Kjo përfshin edhe themelimin e Asociacionit së komunave me shumicë serbe. Normalizimi i marrëdhënieve është një kusht thelbësor për rrugën europiane të të dyja palëve dhe të dyja rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme në mungesë të përparimit” shkruhet në dokumentin e publikuar nga Këshilli Europian.

Ndërkaq krerët e shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian dënuan ashpër sulmin e dhunshëm ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator. 
“Bashkimi Evropian pret që autorët të arrestohen dhe të sillen shpejt para drejtësisë. Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm në këtë drejtim”, shkruhet në konkluzionet e miratuara në fund të samitit. 

Ndërsa Kosovës i kërkojnë të mbajë zgjedhjet e reja në veri sa më shpejt të jetë e mundur, duke siguruar pjesëmarrjen aktive të serbëve. 

Edhe presidenti i Këshillit Evropian, Çarls Mishel (Charles Michel), në një konferencë për media, pas përfundimit të samitit dyditor të Bashkimit Evropian, ka folur për takimin që ai së bashku me presidenti e francez, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman, Olaf Scholz, kryeministren italiane, Giorgia Meloni e shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, zhvilluan të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti e presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Bruksel.

Liderët e Bashkimit Europian kanë dalë edhe me një deklaratë të përbashkët pas takimit të bërë në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Në deklaratën e tyre të përbashkët ata shprehen se fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të marrëveshjes pa parakushte apo vonesa.

Deklarata e liderëve të BE:

Ne, Presidenti i Republikës Franceze, Emmanuel Macron, kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentja e Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane, Giorgia Meloni, së bashku me Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel Përfaqësuesi i Lartë për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë/Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Josep Borrell dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, u takuan me Presidentin e Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në margjinat e Këshillit Evropian më 26 tetor 2023.

Mirëpresim angazhimin e dy palëve në diskutimet e djeshme në Bruksel. I marrim parasysh komentet e dy liderëve të Kosovës dhe Serbisë për Statutin Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe gatishmërinë e tyre të shprehur për ta zbatuar. Draft statuti që ne paraqitëm dhe miratojmë plotësisht përfshin një mënyrë moderne evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të mbrojtjes së pakicave në përputhje me praktikat dhe standardet më të mira evropiane, brenda parametrave të përcaktuar nga palët.

 

Prandaj, ne nënvizojmë edhe një herë pritshmërinë tonë që palët të përmbushin angazhimet e tyre për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt normalizimit. Faza e zbatimit duhet të përparojë me të dyja palët që të përmbushin detyrimet e tyre përkatëse paralelisht në mënyrë hap pas hapi bazuar në parimin që të dyja palët duhet të bëjnë diçka për të marrë diçka. Fokusi tani duhet të jetë në avancimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes pa parakushte apo vonesa.

Për të arritur progres të shpejtë në zbatim, ne i bëjmë thirrje Kosovës që të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë siç është përshkruar në draft statut dhe Serbisë që të bëjë njohjen de-facto. Formalitetet, duke përfshirë edhe birësimin, nuk duhet të pengojnë përparimin në këtë çështje.

Tani presim që Kosova dhe Serbia të bien dakord shpejt për detajet në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Në mungesë të progresit në normalizimin e marrëdhënieve, të dyja palët rrezikojnë të humbasin mundësi të rëndësishme.

Mishel: Të dy liderët të zbatojnë marrëveshjet

Sipas Mishel, në këtë takim kanë dërguar një mesazh të qartë liderëve nga Kosova e Serbia: implementimi i të gjitha marrëveshjeve përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Është njëra nga marrëveshjet e rëndësishme, nuk është e vetmja, por është njëra nga elementet e  rëndësishme”, theksoi ai.

Ai deklaroi se është plotësisht i informuar për debatin aktual çështjen e nënshkrimit të marrëveshjeve dhe refuzimin e palës serbe, duke theksuar se kjo është diskutuar edhe në takimin e së premtes në kuadër të samitit të Këshillit të Evropës.

“Një pikë që u përmend nga disa liderë në takimin e sotëm, është që të dy liderët të zbatojnë këto marrëveshje dhe do të jetë shumë e rëndësishme që të kontrollojmë nëse vërtet këto marrëveshje zbatohen. Dhe do të jetë në përgjegjësinë e BE-së për të vlerësuar se cilat janë pasojat nëse këto zbatohen dhe nëse këto nuk zbatohen”, shtoi Mishel.

Gazetare Vjollca Zharri

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›