Këshilli i Mandateve me dy raporte në Kuvend për Xhaçkën, PD: Do e çojmë në Kushtetuese

Këshilli i Mandateve ka dalë më dy raporte për të dërguar në Kuvend për mandatin e Olta Xhaçkës, e cila akuzohet nga PD se bashkëshorti i saj u shpall nga qeveria “investitor strategjik” dhe iu dha tokë në bregdet për hotelin e tij duke shkelur Kushtetutën.
Teksa opozita kërkon që këtë çështje ta shqyrtojë gjykata Kushtuese, për mazhorancë nuk plotësohet asnjë kusht që kjo çështje të dërgohet në gjykatë.
Deputeti demokrat Gazment Bardhi tha se kjo pritet nga mazhoranca pasi po mbron kolegen, por nuk mund të pengojnë dot dërgimin e çështjen në Kushtetuese.
“Unë dhe kolegia e mazhorancës nuk kemi rënë dakord për një raport të përbashkët se kolegët e maxhorancës kanë vendosur të marrin në mbrojtje ministren e kolegen e tyre Olta Xhacka. Qëndrimi i opozitës ka qenë që këtë çështje duhet ta shqyrtojë në themel Gjykata Kushtetuese. Ne nuk vendosim nëse një deputet ka ushtruar ose jo mandatin në kundërshtim me Kushtetutën. Ajo që ne e Kuvendi vendos është për t’ia përcjellë për shqyrtim Gjykata Kushtetuese. Siguroj koleget se çështja do dërgohet për zgjidhje të konfliktit të kompetencave në Gjykatën Kushtetuese e ne do mblidhemi përsëri këtu pas vendimit te Kushtetueses që do ju detyrojë ta dërgoni në këtë çështje atje”, tha Bardhi.
Ndërsa Klotilda Bushka tha se nuk ka arsye kushtetuese për të çuar në Gjykatë kërkesën e PD-së.
“Ne arrijmë në konkluzionin që nuk ka çështje që Kuvendi duhet t’ia dërgojë për shqyrtim Kushtetueses. Kërkesat e paraqitura nuk plotësojnë kriteret e Kushtetutës. Kuvendi në seancë nuk i diskuton raportet, e thotë kushtetuta dhe rregullorja,” tha Bushka.
/rtsh.al/