E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot, në mbledhjen e tij të radhës, disa projektligje, vendime dhe marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare. Kës

Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e Kryeministrit Fatos Nano, miratoi sot, në mbledhjen e tij të radhës, disa projektligje, vendime dhe marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare.

Këshilli i Ministrave miratoi këto marrëveshje:

a) "Për miratimin në parim të marrëveshjes së paradhënies së kredisë, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për përgatitjen e projektit "Për menaxhimin e integruar dhe pastrimin e zonës bregdetare".

Kjo marrëveshje është hapi i parë i fillimit të një projekti të gjërë dhe kompleks që ka si qëllim zhvillimin urban dhe të turizmit në të gjithë zonën bregdetare shqiptare. Faza e parë e këtij projekti është parashikuar në rreth 15 milion USD dhe do të përfshijë zonën bregdetare jugore të Shqipërisë.

Projekti synon:

•Mbështetjen e zhvillimit dhe zbatimit të përdorimit të qëndrueshëm të tokës dhe planeve për zhvillimin e turizmit, të sipërmarra nga komunitetet locale dhe bashkitë, për thithjen e të ardhurave ekonomike, për investime në infrastrukturë, si dhe përmirësimin e mjedisit për një investim të qëndrueshëm në sektorin privat;

•Mbështetjen për zhvillimin dhe zbatimin e një kornize rregullatore të përmirësuar për menaxhimin e zonave bregdetare, në veçanti duke u fokusuar në koordinimin e përgjegjësive për agjenci të ndryshme në nivel lokal dhe kombëtar;

•Mbështetje për infrastrukturën rajonale, duke mbështetur zhvillimin e turizmit në zonat jugore, rrjedhjen e investimeve private;

•Investime mbi mbetjet e rrezikshme në Durrës. (Megjithëse ky investim nuk bie në zonën jugore, për shkak të gjendjes së avancuar të punimeve përgatitore dhe të rrezikut propozohet që investimet për mbrojtjen dhe pastrimin e zonës të kryhen në këtë fazë të parë të projektit).

Me kredinë prej 1.5 milion USD të Bankës Botërore do të financohet përgatitja e këtij projekti, çka do t'i mundësojë edhe Qeverisë Shqiptare fillimin e ndërtimit të mekanizmave institucionalë për të vijuar me vënien në zbatim të Studimit dhe Planit të Zhvillimit Territorial të Bregdetit.

b) "Miratimin në parim të marrëveshjes së kredisë për zhvillim, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), për programin e fazës së tretë të kredisë, në mbështetje të uljes së varfërisë".

Marrëveshja për programin e fazës së tretë të kredisë, në mbështetje të uljes së varfërisë, ka vlerën e 10 milion USD. Programi i kredive në mbështetje të uljes së varfërisë siguron mbështetje buxhetore dhe përbëhet nga tre transhe që përforcojnë njëra-tjetrën. Qeveria Shqiptare pasi ka fituar kredinë e parë e të dytë, ka miratuar Letrën e zhvillimit të Politikave për kredinë e tretë.

Edhe në këtë fazë të tretë kredia mbështet Strategjinë Kombëtare për Zhvillimin Ekonomik e Social nëpërmjet katër komponentëve të saj:

1) Nxitja e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe mbështetja e sektorit privat; 2) Fuqizimi i kapaciteteve për monitorimin dhe vlerësimin e axhendës së politikave; 3) Përmirësimi i shpërndarjes së shërbimeve dhe efektivitetit të rrjetit të sigurimeve dhe 4) Përmirësimi i funksioneve bazë të sektorit publik dhe rregullimeve institucionale.

c) "Miratimin në parim të Marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Suedisë, për mbështetjen e projektit të shërbimeve efiçente të punësimit në Shqipëri".

Projekti, me vlerë 1.4 milion euro (donacion i Qeverisë Suedeze) dhe kosto lokale prej 5 milion lekë në vit, ka për qëllim të nxisë një funksionim më të mirë të tregut të punës, si dhe të ndikojë në rritjen e nivelit të punësimit në vend. Gjithashtu nëpërmjet këtij projekti synohet të ndërtohet një system punësimi publik efektiv në dy zyra rajonale të punësimit. Përfitues do të jenë edhe punëdhënësit, të cilët do të kërmbejnë informacion duke përdorur Shërbimin Publik të Punësimit.

Rezultat i zbatimit të projektit do të jetë krijimi dhe funksionimi i një sistemi të ri për menaxhimin e informacionit në lidhje me tregun e punës në dy rajone dhe me qëllim shtrirjen e këtij rrjeti në tërë sistemin e Shërbimit Publik në Shqipëri.

***

Po ashtu, u miratuan vendimet:

a) Vendimi: "Për miratimin e rregullave teknike për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin në konstruksionet dhe ndërtimet, që shërbejnë për veprimtari akomoduese turistike".

Vendimi, në të 4 kapitujt e tij, i kushton rëndësi të veçantë elementeve të parandalimit dhe prakticitetit të përdorimit të kësaj rregulloreje nga punonjësit e parandalimit në strukturat e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe për Shpëtim, si dhe nga subjektet e ngarkuar me projektimin e masave për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpetimin në këto objekte.

Volumi i madh i ndërtimeve në fushën e aktivitetit akomodues-turistik, kërkon domosdoshmërisht disiplinimin dhe normimin në drejtim të marrjes së masave për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin. Rregullorja është konceptuar në kapituj të veçantë sipas objekteve që do të ndërtohen të reja dhe atyre që aktualisht janë ekzistuese, duke përcaktuar norma dhe rregulla për mbrojtjen nga zjarri, shpëtimin në varësi të vendndodhjes, lartësisë antizjarr, rezistencës së materialeve të përdorura në projektimin e ndërtimin e kësaj kategorie objektesh. Një vend në veçantë zënë edhe ndërtimet e cilësuara "kampe alpine", ku janë përcaktuar norma për to.

Rregullorja do të ndikojë gjithashtu në ndërgjegjësimin e subjekteve që operojnë dhe ushtrojnë aktivitetin akomodues-turistik, për respektimin e normave dhe rregullave për mbrojtjen nga zjarri.

b) Vendimi: "Për miratimin e rregullave teknike për përdorimin e betoneve strukturore".

Ky vendim miraton rregullat teknike për përdorimin e betoneve strukturore, duke e parë të domosdoshme në kuadrin e zhvillimeve të teknologjisë së prodhimit të materialeve të ndërtimit dhe të ëprdorimit të tyre, kryesisht në ndërtimin e godinave të banimit me shumë kate.

Subjektet që i nënshtrohen kontrollit duhet të zbatojnë jo vetëm dispozitat ligjore, por edhe standartet dhe rregullat teknike që rrjedhin nga këto dispozita e që janë të lidhura kryesisht me cilësinë në projektim, prodhim e ndërtim dhe për rrjedhojë dhe me qëndrueshmërinë e vetë objektit, sipas standarteve europiane në këtë fushë.

c) Vendimi: "Për shpalljen e sistemit ligatinor Vjosë-Nartë peisazh ujor/tokësor i mbrojtur".

Zona që shtrihet nga derdhja e lumit të Vjosës deri në Nartë karakterizohet nga një larmi dhe pasuri mjaft e lartë e vlerave natyrore. Vendsoja e një statusi të ri mbrojtjeje për këtë zonë, duke përfshirë edhe atë ekzistuese të Pish Poros, ka si qëllim mirë menaxhimin e saj dhe zhvillimin e potencialeve ekonomike dhe turistike.

Rritja e sipërfaqes së zonave të mbrojtura nga 2% të sipërfaqes së përgjithshme të vendit në mesin e viteve '90 në rreth 5.8% në fund të vitit 2000, është një tregues i qartë drejt një politike afatgjatë për qasjen e parametrave mjedisorë të Shqipërisë me ato të komunitetit ndërkombëtar.

d) Vendimi: "Për disa shtesa dhe ndryshime në vendimin nr.3, datë 121.2004, të Këshillit të Ministrave, "Për dhënien e ndihmës financiare familjeve të viktimave, të mbytyra në ujërat e detit Jon, më datë 10.1.2004".

Për t'ju ardhur në ndihmë familjarëve të viktimave të mbytura në brigjet e detit Jon, më datë 10.1.2004, Këshilli i Ministrave me vendimin e datës 12.1.2004, akordoi për çdo familje të viktimave nga 2 milione lekë. Sipas pikës 1 të këtij vendimi, numri i familjeve që përfitojnë ndihmë financiare është 26. Në vendim jepen vetëm emrat për 19 viktimat të cilëve ju është gjetur trupi, ndërsa për emrat për 7 të tjerët nuk jepen, pasi certifikata e vdekjes në këtë rast lëshohet me vendim gjyqësor që kërkon një afat kohor nga 2 deri në 5 vjet. Ky vendim miratohet për t'ju ardhur në ndihmë dhe për t'ju lehtësuar sado pak dhembjen familjarëve, pavarësisht se nuk janë gjetur trupat e viktimave të mbytura në brigjet e detit Jon, duke ju dhënë edhe këtyre familjeve shumën prej 2 milion lekësh.

e) Vendimi: "Për miratimin në parim të Protokollit nr.14, të Konventës "Për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore", që ndryshon Sistemin e Kontrollit të Konventës.

Ky Protokoll është miratuar nga komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës më 12 maj 2004 dhe është pjesë e një pakete masash, të ndërmarra për të siguruar të ardhmen e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Qëllimi i tij është të sigurojë dhe përmirësojë efikasitetin e sistemit të kontrollit afatgjatë të Gjykatës Europiane të Strasburgut për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.

Masat e marra në kuadër të këtij Protokolli u bënë të nevojshme për shkak të numrit të madh të kërkesave individuale të ardhura në Gjykatë. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve, kësaj Gjykate i jepen mjetet proceduriale dhe fleksibiliteti i nevojshëm për të proceduar me të gjitha kërkesat e paraqitura, në mënyrë që ato të shihen brenda një afati të arsyeshëm dhe në të njëjtën kohë të përqëndrohet në çështjet më të rëndësishme, të cilat kërkojnë një shqyrtim të thellë e të hollësishëm. Miratimi i këtij Protokolli do të mundësojë zgjerimin e garancive për të drejtat dhe liritë themelore nëpërmjet ndryshimit të disa dispozitave të Konventës me qëllim ruatjen dhe përmirësimin e efikasitetit të sistemit të kontrollit afatgjatë.

f) Vendimi: "Për miratimin në parim të Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Ukrainës".

Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit është një dokument i rëndësishëm, nëpërmjet të cilit palët zotohen për zhvillimin e marrëdhënieve të tyre, të udhëhequr nga qëllimet dhe parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera të rëndësishme ndërkombëtare.

Nëpërmjet tij synohet të zhvillohet bashkëpunimi ekzistues në të gjitha fushat me interes të ndërsjelltë, të vazhdohet dialogu politik, si dhe të jepet kontribut për zgjidhjen paqësore të konflikteve dhe krizave ndërkombëtare. Palët zotohen të zhvillojnë bashkëpunimin e tyre në kuadër të procesit të integrimit europian dhe atij euroatlantik, duke u udhëhequr nga parimet e barazisë, të sovranitetit, mospërdorimit të forcës, moscënimit të kufijve, mosndërhyrjes në punët e brendëshme etj. Në këtë kuadër ato angazhohen të konsultohen dhe të shkëmbejnë informacione mbi çështjet e integrimit.

Ky Traktat është tregues i marrëdhënieve pozitive me Ukrainën, të cilat janë zhvilluar vitet e fundit dhe janë konkretizuar me përfundimin e një sërë marrëveshjes në fusha të ndryshme, si ajo e bashkëpunimit në fushën e rendit, bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, për nxitjen e investimeve, në fushën e shëndetësisë, arsimit, turizmit etj.

g) Vendimi: "Për emërimin e kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Autoritetit Mbikqyrës të Sigurimeve".

Me këtë vendim bëhet emërimi i kryetarit dhe anëtarëve të Këshillit të Autoritet Mbikqyrës të Sigurimeve si më poshtë:

1.Burbuqe Riba Kryetare
2.Sherif Bundo anëtar
3.Shpëtim Shehu anëtar
4.Adriatik Islamaj anëtar
5.HysenÇela anëtar
6.Florian Ballhysa anëtar
7.Aelita Mani anëtar

Emërimi i Këshillit është parë në funksion të detyrave që shtrohen në fushën e sigurimeve me aprovimin e ligjeve të reja që synojnë rritjen e pavarësisë dhe të efikasitetit të funksionimit të Autoritetit Mbikqyrës të Sigurimeve, implementimin e standarteve ndërkombëtare dhe rritjen e shkallës së sigurisë dhe të stabilitetit të funksionimit të tregut të sigurimeve. Përzgjedhja e emrave është bërë duke patur si synim kryesor eksperiencën në fushën financiare dhe në veçanti atë të sigurimeve.

h) Vendimi: "Për një shtesë në vendimin nr.601, datë 2.11.2001, të Këshillit të Ministrave, "Për funksionet në Ministrinë e Rendit Publik, që kanë të drejtën e mbajtjes së gradës së Policisë së Shtetit".

***

Gjithashtu Këshilli i Ministrave miratoi këto projektligje:

1. Projektligji "Për sportin".

Projektligji është hartuar nga një grup pune me përfaqësues të institucioneve dhe organizatave më të rëndësishme sportive. Projektligji sjell disa elementë të rinj që kanë të bëjnë me:

•Vendosjen e parimeve themelore të zhvillimit të sportit në Shqipëri;

•Përcaktimin e detajuar të kompetencave të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, organeve qendrore sportive, si dhe njësive administrative të pushtetit vendor;

•Rritet autonomia e Federatave sportive për të gjykuar çështje teknike, si dhe mundësia e anëtarëve të federatave për t'u ankuar në gjykatë, në rast konfliktesh në organet drejtuese të tyre dhe për çështja statutore;

•Koncepti i privatizimit dhe dhënies me koncesion i objekteve sportive, pa ndryshuar destinacionin sportiv të tyre;

•Përjashtimi nga detyrimet doganore i ndihmave në materiale dhe pajisje sportive të dërguara nga institucionet sportive ndërkombëtare për organizatat sportive, në kuadrin e bashkëpunimit me këto institucione ;

•Parashikimi i ndarjes së komptencave të pushtetit qendror dhe njësive administrative të pushtetit vendor në fushën e sportit.

Një aspekt tjetër i përmirësimit në projektligj bëhet përsa i përket të drejtave dhe detyrave të individit në sport. Tashmë në projektligj është vendosur edhe sigurimi shëndetësor i sportistëve që mungonte në ligjin aktual. Kjo i jep më tepër garanci veprimtarisë sportive, duke ruajtur shëndetin e sportistëve dhe duke krijuar kushte për një rekuperim më të shpejtë të tyre.

2. Projektligji "Për dërgimin e kompanisë paqeruajtëse shqiptare në Bosnje-Hercegovinë për të marrë pjesë në operacionin "Althea", të Bashkimit Europian".

Në samitin e NATO-s në Stamboll, në qershor 2004, u vendos që misioni i SFOR-it në Bosnje-Hercegovinë, i drejtuar nga NATO, të përfundojë në fund të vitit 2004. gjithashtu Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara, me anë të rezolutës nr.1551, datë 09.07.2004, mirëpret BE për vazhdimin e misionit nën komandën e saj. Në bisedimet midis NATO-s dhe BE-së është vendosur që në datën 2 dhjetor 2004 komanda e misionit SFOR të NATO-s t'i dorëzohet komandës së misionit ALTHEA të BE-së.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka shprehur vullnetin politik për pjesëmarrjen me një kontigjent ushtarak në Bosnje-Hercegovinë, të njëjtë në numër me atë që kemi patur në misionin SFOR të NATO-s. Pjesëmarrja në misionin ALTHEA apo në misione të tjera paqeruajtëse të drejtuar nga BE, është në zbatim të Strategjisë së Sigurimit Kombëtar të Republikës së Shqipërisë, si dhe një prioritet strategjik i saj për të thelluar bashkëpunimin e mëtejshëm me BE-në në të gjitha fushat, kjo edhe në kuadrin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Gjithashtu, projekti parashikon një trajtim të veçantë për vështirësi shërbimi dhe një shpërblim ditor, i cili do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.

3. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ushtarake grant, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë".

Në këtë marrëveshje parashikohet një fond grant prej 1 960 000 000 000 lira turke akorduar Qeverisë Shqiptare. Ky grant do të sigurohet në materiale dhe shërbime dhe do të realizohet në përputhje me Protokollin e Zbatimit Logjistik. Kjo marrëveshje pason ndihmën dhe bashkëpunimin dypalësh me Republikën e Turqisë, duke kontribuar në bashkëpunimin ushtarak midis vendeve tona, si dhe për ristrukturimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›