E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këshilli i Qarkut Berat, të majtët votojnë kandidatin e Metës

Braçe në Facebook: “I pari tha se votoi për inat, i dyti se ishte i fyer rëndë, i treti pjesë e një skeme shantazhi, i fundit është nën gjykim për falsifikim! Ju pata thënë: Tradhëtia është kthyer në sistem në PS!”

BERAT Ndryshe nga sa pritej, Këshilli i Qarkut të Beratit nuk do të drejtohet nga koalicioni i opozitës, por nga mazhoranca. Përmes një votimi të paprecedentë, Petrit Sinaj i LSI-në ka fituar kundrejt kandidatit të opozitës, Pelivan Shatri, dhe kjo falë votave të këshilltarëve të majtë. As fakti se koalicioni i opozitës përfaqësohej me plot 27 këshilltarë kundrejt 24 të koalicionit të mazhorancës dhe as ardhja një ditë më parë e numrit dy të PS-së, Gramoz Ruçi, nuk e ka shpëtuar dot rezultatin e votimit. Një javë më parë, në votën brenda tyre, këshilltarët socialistë rrëzuan mjekun Vladimir Kumaraku në garën me kandidatin tjetër, Pelivan Shatri. Por ky i fundit u nxorr jashtë loje dje gjatë votimit për kreun e Këshillit të Qarkut.

Votimi

Proçesi i konstituimit të këshillit të qarkut është zhvilluar dje në ambientet e bibliotekës “Vexhi Buharja”. Për të ndjekur proçesin e votimit për kreun e Këshillit të Qarkut, kishin ardhur përfaqësues politik të të dy kampeve. Ajo që binte në sy ishte përfaqësimi në nivel më të lartë i "Aleancës për Qytetarin", në përbërje të të cilëve ishin kreu i LSI-së, Ilir Meta, Nasip Naço, Flamur Noka, Genc Pollo, Mehmet Xheka etj. “Aleanca për të Ardhmen” përfaqësohej nga deputeti socialist Erjon Braçe, Ermonela Felaj, Fidel Ylli dhe Marko Bello, ndërkohë që një natë më parë kishte qenë edhe Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi. Ky i fundit nuk e ka ndjekur proçesin e votimit pasi më herët është larguar për në qytetin e Fierit. Referuar rregullores, mbledhja është hapur nga kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, për të filluar më pas proçesin e votimit. Këshilli i Qarkut të Beratit ka 51 anëtarë; 27 anëtarë i ka koalicioni i majtë dhe 24 koalicioni i djathtë në përbërje të të cilit është edhe LSI-ja. Por, pas përfundimit të proçesit të votimit,

raporti i përfaqësimit mes dy koalicioneve ka ndryshuar, 28 anëtarë votuan kandidatin e LSI-së dhe 23 votuan atë opozitës. Për pasojë, në pikën e dytë të rendit të ditës, për zgjedhjen e nënkryetarit dhe kryesisë, këshilltarët e majtë janë larguar nga salla.

Reagimi

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i një prej deputetëve të qarkut të Beratit, Erion Braçe, i cili ishte i pranishëm edhe gjatë proçesit të votimit. Në rrjetin social “Facebook”, Brace shkruan në faqen e tij se tradhëtia po kthehet në sistem në PS. Pa përmendur emra, Braçe ka bërë të qartë se kush ishin ata këshilltarë, që votuan kundër kandidatit të tyre.

“I pari, socialist, pjesëmarrës në garën brenda partie, intelektual dhe gjithnjë i emëruar në funksione nga PS-ja; i dyti, kryetar i një komune malore, i treti, një fshatar, që jeton në varfëri; i katërti, aleat i PUK-së! I pari tha se votoi për inat, i dyti se ishte i fyer rëndë, i treti pjesë e një skeme shantazhi, i fundit është nën gjykim për falsifikim! Ju pata thënë: Tradhëtia është kthyer në sistem në PS! Udhëheqja më vuri dikë nëpër gazeta të më shante! Ja pasoja!”, - shkruan Braçe

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›