E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i ministrave miraton dy vendime të rëndësishme në fushën sociale

Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme vendimin “Për një ndryshim në vendimin “Për anëtarësimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në deklaratën “Dekada e romëve”.

Duke folur për këtë çështje, Kryeministri u shpreh se tashmë, Shqipëria vendos anëtarësimin, jo vetëm "de juro", por edhe "de facto", nëpërmjet kuotave në “Dekadën e romëve”.

Kryeministri theksoi se qeveria shqiptare është e vendosur të punojë në mënyrën më serioze, të ndihmojë romët dhe egjiptianët në Shqipëri që kanë një kontribut të madh, që kanë derdhur lumenj djerse në këtë vend, për të kapërcyer pasojat e diskriminimi shekullor mbi ta.

Më gjerësisht për këtë temë, kryeministri u shpreh:

“Shqipëria vendos anëtarësimin jo vetëm de juro, por edhe de fakto, nëpërmjet kuotave në dekadën e romëve .

Dekada  e romëve është dhjetëvjeçari i shpallur nga OKB me mbështetje të shumë lobistëve, të cilët kanë bërë çështjen e romëve një çështje të tyre, nxjerrjen  e kësaj popullate të shpërndarë në shumë shtete të Evropës, midis tyre edhe në Shqipëri, nga pasojat  shekullore të diskriminimit që kanë rënë mbi to.

Qeveria shqiptare është e vendosur të punojë në mënyrën më serioze, të ndihmojë romët dhe egjiptianët në Shqipëri që kanë një kontribut të madhe, që kanë derdhur lumenj djerse në këtë vend për të kapërcyer pasojat e diskriminimi shekullor mbi ta.

Qeveria po punon dhe do të punojë me përparësi të madhe në drejtim të strehimit të tyre, të shkollimit të tyre, të punësimit të tyre.

Ne kemi negociuar dhe negociojmë me institucione financiare ndërkombëtare dhe tani së fundi me bankën  për zhvillim të KE, e cila dëshmoi disponibilitet të plotë. Guvernatori Alomar ishte plotësisht i gatshëm dhe  e mirëpriti kërkesën tonë për të na financuar projekte për të ndryshuar jetën e romëve dhe egjiptianëve në Shqipëri, si grupet më të skajuara dhe më të harruara të vendit.

*  * *

Gjatë mbledhjes së këshillit të Ministrave, kryeministri bëri të ditur gjithashtu emërimin e drejtorit ekzekutiv të  të agjencisë së biznesit social të mikrokreditit.

Kryeministri u shpreh se “Shqipëria mbi bazën e një ligji të votuar në parlament do të bashkëpunojë me nobelistin e njohur Muhamed Junis që është njëkohësisht edhe babai i mikrokreditit mbi tokë.”

Lidhur me këtë çështje, kryeministri u shpreh:

Sot emërojmë drejtorin ekzekutiv të agjencisë së biznesit social të mikrokreditit.

Shqipëria mbi bazën e një ligji të votuar në parlament do të bashkëpunojë me nobelistin e njohur Muhamed Junus që është njëkohësisht edhe babai i mikrokreditit mbi tokë.  Praktikat  e tij kanë  bërë një emër pozitiv në mbarë botën. Gjeniu i mikrokreditit nisi veprimtarinë e tij në Bangladesh, por sot ai vepron ne vendet më të zhvilluara të botës, në periferitë  e qyteteve më të mëdha të këtyre vendeve, duke ndihmuar me mikrokredi njerëzit në nevojë. Në natyrën e tij këto mikrokredi iu adresohen me përparësi të madhe grave dhe vajzave dhe para se gjithash grave kryefamiljare, ndaj dhe kam shumë kënaqësi që ne shumë shpejt të nisim këtë bashkëpunim, i cili do të jetë një nga historitë më të frytshme.

Shqipëria ka një histori mikrokrediti  edhe ai ka qenë një nga historitë më të suksesshme në vitet 92-96 nga Banka Botërore, deri në ‘97,  por pastaj ata që erdhën më pas menduan se si të merreshin me rrogat më të larta dhe jo me të ulëtat dhe kështu e shuan atë rrjet. Tani ne do ta ngremë mbi një bazë të re, jo me Bankën Botërore, por mbi bazën e sistemit të profesor Junus, i cili është faktuar sistemi më i suksesshëm i mikrokredisë në botë.


16/06/2011

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›