Këshilltarët e Ramës, me stazh partie, nga enverizmi tek qendrat e armiqve tanë historikë
Pretenduesi për postin e kryeministrit të ardhshëm, pasi ka shpallur përbërjen e qeverisë së vet ende pa u votëbesuar, madje pa u mbledhur Parlamenti që duhet ta votëbesojë sipas procedurave kushtetuese, pasi ka bërë edhe nja dy mbledhje pak të pranueshme, tepër të papranueshme nga pikëpamja e etikës politike, tashmë po shpall publikisht emrat e bashkëpunëtorëve që do të ketë përkrah. Një sot, një nesër, një tjetër pas dy a tri ditësh, ata po hyjnë shpejt e shpejt në skenën politike si drejtorë, si këshilltarë etj., por gjithnjë gjysmë aktorë, gjysmë figurantë. A mund të mos shpalleshin fare emrat e tyre? Ma thotë mendja se po, përderisa nuk janë të një rangu politik me ministrat a zëvendësministrat. Sipas praktikave rutinë të ndërrimit të pushtetit, publiku ynë do të kishte një mori rastesh të mësonte për ta: gjatë kryerjes së detyrës, gjatë daljeve publike nëpër ekrane televizorësh etj, në mos me të shkelur në zyrat përkatëse. Pse, pra, me kaq bujë?
Mendoj se rruga kësisoj e Ramës drejt marrjes së pushtetit de facto nuk është rastësi. S’kam pikë dyshimi se ai i ka pas vendosur piketat me kohë, ndoshta më parë sesa të vendoste për emrat e ministrave, çka lidhej me ndarjen e tortës mes PS-së dhe aleatëve të koalicionit, kryesisht me “aleatin strategjik” që i dha fitoren më 23 qershor. Sipas meje, Rama e ka qëmtuar dhe e ka zgjedhur për shumë arsye këtë lloj ecurie, të cilën rreh ta shesë si transparencë. Së pari, që ta hedhë si shashkë propagandistike, me qëllim që të befasojë opinionin publik. Së dyti, që të mbajë në ankth kandidatët e tjerë të mundshëm për postet përkatëse. Së treti, që të ushtrojë trysni mbi aleatët e vegjël, të cilëve s’po ua mbyll dot gojën. Së katërti, por më parësore, që të zhvendosë pandërprerë vëmendjen e elektoratit që e votoi, prej premtimeve që po avullojnë më shpejt se uji i detit në vaskat e kripores. Nuk është vështirë që dukurinë ta shpjegojmë me kontekstin e sotshëm politik, të cilin Rama synon ta turbullojë pa pra, që llumi të precipitojë një me kalendat greke.
Po sjell në kujtesë tri-katër emrat më të fundit (nëse s’gaboj) nga lista e të ashtuquajturve bashkëpunëtorë të afërt të Ramës:
1 - Vali Bizhga, drejtore e kabinetit të Kryeministrit.
Zoti Rama e ka përzgjedhur drejtoren e kabinetit në rrethin e bashkëpunëtorëve të vet të hershëm. Siç është shprehur në facebook, sepse ka punuar me të “krah për krah për shumë vite në Bashkinë e Tiranës” dhe sepse ajo ka fituar betejën më të vështirë të jetës së saj, atë “me një kancer të shfaqur befas në formë agresive”.
Gjej rastin të shpreh keqardhjen time të sinqertë për sëmundjen e rëndë me të cilën është përballur zonja Bizhga, duke i uruar, njëherësh, shëndet e punë të mbarë. Gjej rastin, gjithashtu, të përshëndes gjestin njerëzor të zotit Rama, për përkrahjen që rreh t’i japë bashkëpunëtores së vet. Ama s’mund të mos ndiej shije të hidhur në gojë, kur kujtoj punët allasoj të ish-kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të stafit të tij të ngushtë, që e lanë Kryeqytetin në ditë të hallit, kurse Sheshin Skënderbe, si varr zbuluar. Nëse dyshja bashkiake – pas disa ditësh, kryeministrore - do t’i imponojë vendit rrugën e “sukseseve” të Tiranës, s’na mbetet tjetër veç të bindemi se zoti Rama po mbledh rreth vetes një ekip të aftë qe ta vrasë Rilindjen, pa dalë ende nga shpërgënjtë.
Më në fund, s’mund të rri dot pa sjellë në kujtesë dashakeqësinë e zotit Rama dhe të së majtës që përfaqëson, ndaj problemeve shëndetësore të zotit Nishani, kur ky u shpall si kandidat i mundshëm për postin e Presidentit. A nuk janë dy qëndrime kundërthënëse ndaj së njëjtës çështje, asaj shëndetësore, që, qoftë për zotin Nishani, qoftë për zonjën Bizhga, ka qenë e tejkaluar në çastin e marrjes së detyrës?
2 - Sandër Lleshi, këshilltar për mbrojtjen.
Siç është shprehur vetë zoti Rama, emrin e Lleshit e ka dëgjuar “për herë të parë nga Ismail Kadare, i cili ia sugjeroi palëve si një kandidaturë të spikatur për President të Republikës një vit më parë”.
Nuk besoj që rekomandimi i një shkrimtari të madh me famë - qoftë edhe me famë botërore si Kadareja - do të ishte kusht i mjaftueshëm politik, aq më pak bindës, për zgjedhjen e një presidenti. Është fakt i njohur botërisht se palët nuk e morën fare në konsideratë rekomandimin e Kadaresë, as vetë Rama që nuk paraqiti kandidaturë. Interesi i tij ishte bllokimi i procesit për zgjedhjen e kreut të shtetit.
Personalisht, do të kisha parapëlqyer dhe do të kisha duartrokitur si president shkrimtarin tonë të famshëm, siç është folur sa herë ka ardhur koha për të vënë gisht mbi një figurë potencialisht të besueshme. Kurrsesi një zëvendës të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, i cili, jo më vonë se një vit, do të largohej nga detyra për kundërvënie me Ministrin e Mbrojtjes. Ligjet tona e kanë ndarë qartë statusin e ushtarakut, jo politik, nga statusi i qeveritarit, politik. A do të ishte i denjë për president një individ me formim ushtarak, por që nuk di të ndajë uniformën nga bindjet politike?
Tashmë, në pozicionin e këshilltarit civil, zoti Lleshi mund të mos i fshehë bindjet e veta politike ose jo politike, ta zëmë juridike, si ajo SHQUP-it. Zhveshur nga uniforma ushtarake, është e drejta e tij, siç është e drejta e kujtdo ta gjykojë atë për bëmat e së kaluarës.
3 - Shkëlzen Maliqi, këshilltar për problemet e rajonit.
Sipas Ramës, Maliqi është “intelektual i mirënjohur e i mosvarur, që do të vijë nga Prishtina, për të ndihmuar në jetësimin e rolit që parasheh për Shqipërinë në rajon programi i Rilindjes... Ne duam të ecim më shpejt në drejtim të Kosovës e të fqinjëve të shqiptarëve në tërësi, për të mundësuar të gjithë bashkë projektin e një rajoni plotësisht të integruar në Europën e Bashkuar”.
Nuk e kuptoj çfarë nënkupton Rama me ecjen “më shpejt në drejtim të Kosovës”. Përtej simbolikave me të cilat ngjan se ai është dashuruar tej mase, do të thosha se Rruga e Kombit është arteria më e shkurtër dhe më e drejtpërdrejtë që bashkon dy pjesë të Kombit tonë, do apo s’do lideri socialist e ndonjë tjetër. Shenja e barazimit që vë mes Çështjes sonë Kombëtare dhe problemeve të fqinjëve që synojnë integrimin në Europën e Bashkuar, është në bashkëvajtje me bllokimin që i ka bërë zoti Rama deri sot bash integrimit. Ajo është ndjellakeqe, sepse e kushtëzon integrimin e Shqipërisë,me atë të vendeve fqinje.
Nëse zoti Maliqi ka marrë përsipër të sheshojë rrugën e shqiptarëve drejt BE-së, për mua ka gabuar rëndë. Si pinjoll i një ish funksionari të lartë për punët e brendshëm të Kosovës, i cili ka ushtruar terror mbi lëvizjet studentore gjatë viteve ’80, nuk ka asnjë shans që ai të jetë i besueshëm. Përkundrazi, është afërmendsh që do të nxitë opinionin mbarëshqiptar t’ia heqë petët byrekut e të nxjerrë në pah kushedi ç’ detyrime ka një personazh i tillë ndaj Serbisë së sotme, në dëm të Kosovës. Po sjell vetëm një ndër reagimet që vërshuan lumë në faqet e shtypit elektronik, me të publikuar Rama vendimin e vet.
Dema - mesa duket nga Kosova - komenton më 19.08.2013 / 02:32: “Luja, Enver Hoxha, luja. Te birin e Kryeudbashit Mehmet Maliqi, këshilltar në Ministrinë e punëve të jashtme. Enver, a është ky Shkëlzeni përfaqësues i Serbise pranë Ministrise se Puneve te Jashtme, apo është koordinator i takimeve të fshehta?” Nuk besoj që komentuesi Dema të mos e ketë marrë vesh ende se Enver Hoxha ka vdekur para një çerek shekulli. Por, e bukura, më duket mua, është tek i drejtohet Ramës e sojit të tij, bash sikur të jetë gjallë Enver Hoxha...
Më në fund, do të dëshiroja të sillja në kujtesë se, sipas shtypit kosovar, tashmë edhe atij të Tiranës, qysh në maj të këtij viti (nëse s’gaboj), zoti Maliqi është dënuar nga një gjykatë kosovare për fshehje të pasurisë. A thua ta ketë ditur Rama këtë të vërtetë? Apo, duke e ditur, u rrokullis tenxherja të gjente kapakun?
4 - Fate Velaj, për diplomacinë kulturore.
Sipas pretenduesit për postin e kryeministrit, zoti Velaj “i ikur si shumë të tjerë nga Shqipëria në kërkim të Tokës së Premtuar, ky shqiptar emigrant nga Vlora, bëri me jetën e tij prej endacaku ëndërrimtar nëpër Europë, një histori suksesi mes artit, kulturës e politikës. I diplomuar në Universitetin e Arteve të Aplikuara në Vjenë për Menaxhim Arti e Kulturë”.
S’di sa janë të vërteta sukseset që përmend bamirësi i zotit Velaj as sa i njohur është ai nëpër Europo. Gjetiu, mbase, por e them me bindje se, këtu, në Belgjikë, përpos “ditës së shkuljes së veshit”, pakkush ia ka pas dëgjuar emrin, madje edhe në qarqet artistike.
Gazeta “55” vërtetonte pardje se edhe diplomën universitare, Velaj e paska marrë në Universitetin Kristal të Tiranës, “aq shumë të përfolur nga lideri i PS-së”. E dyshimtë që një njeri me integritet artistik e politik, siç na e paraqet zoti Rama bashkëpunëtorin e vet të ardhshëm, të mos jetë ndier i fyer, të mos ketë reaguar menjëherë në shtyp e të mos reagojë ende, pas akuzash të tilla publike. Që të vërtetoj dyshimin tim, po sjell fjalë për fjalë komentin e një personi me pseudonim Dhjetoristi, në faqen opinion të një të përditshmeje nga më të mëdhatë e Tiranës:
“I nderuar Z.Rama. Jam një nga pasuesit e programit tuaj për Rilindje, por në lidhje me Fat Velaj kam disa objeksione. 1-Zotëria e ka emrin Fatmir dhe këtë e di gjithë Vlora. Fakti që e ka amerikanizuar, tregon vetëm probleme me karakterin. 2-Fatmiri ka qenë me shkollë të mesme dhe punonte elektricist, jo se nuk i jepnin shkollë, se ishte bir drejtori, por se nuk kishte mesataren e nevojshme. Nëse ka kryer shkollë në Vjenë, ju lutem ta botojë diplomën e institucionit arsimor dhe vitet e arsimimit. Ju faleminderit”.
***
Ç’është e vërteta, nuk kam pasur rastin të njoh asnjërin prej bashkëpunëtorëve të emëruar prej kryeministrit të pritshëm, ndonëse emrat ua kam ndier me raste. Emrin e zonjës Bizhga, si njërën nga bashkëpunëtoret e Ramës, sa kohë ai kryente detyrën e kryebashkiakut të Tiranës. Emrin e zotit Lleshi, kur u ngrit në shtypin e majtë zhurma që ndoqi lirimin e tij nga detyra e zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm. Emrin e zotit Maliqi, si themelues i një partie politike në Kosovë (“i mosvarur”?!...), si themelues e President i Institutit “Gani Bobi” të Prishtinës dhe si gazetar i ftuar në programin televiziv Opinion, kryesisht. Më në fund, emrin e zotit Velaj, e kam ndier së pari një me skandalin e “ditës së shkuljes të veshit” në Vjenë.
Ç’më shtyu, pra, t’i futem këtij vëzhgimi? Thjesht dhe shkurt: konteksti politik aktual.
Pa i renditur ngjarjet e fundit politike, përmend vetëm përplasjen mes Bashkisë së Përmetit, administruar nga socialistët, dhe priftërinjve ortodoksë që s’lejuan përmbarimin të zbatonte një vendim të formës së prerë, lidhur me ish shtëpinë e kulturës, shndërruar në kishë. A thua me gjithë mend e paskësh ngrënë aq shumë meraku Kryetarin socialist të Bashkisë, sa nuk i qenkësh duruar të bëhej shefi i tij kryeministër dhe të vendoste rregull në drejtësi, siç ka premtuar? Jo. E gjitha ishte lojë e Asfalisë greke dhe e organizatës fashiste “Agimi i Artë”, nëpërmjet Kryepeshkopit Janullatos dhe të vartësve të tij. Për fatin e keq të qarqeve antishqiptare, loja e Hirësisë së Tij për të çuar ujë në jazin politik të kryeministrit të ardhshëm, kësaj here rezultoi blof. Për fatin tonë të mirë, policia e shtetit qëndroi larg dhe iu shmang skandalit, çka qarqet antishqiptare greke e serbe e lusin ditë e natë, me qëllim që Shqipëria të mos e marrë këtë vjeshtë statusin e anëtarësisë në BE, madje as vjeshtën tjetër e as tjetrën pas saj, sa të jenë socialistët e Ramës në Pushtet.
Në këtë kontekst, edhe emërimet e zotit Rama. Aq e vërtetë është, sa, ndoca gazetarë analistë, opinionistë, kritikë arti etj., të cilët, më shumë se të tillë, janë shquar si kryetarë OJQ-sh, po nguten të sjellin në shtyp idetë e tyre kozmopolite, duke nxitur ndjenja antikombëtare ose duke vënë nê dyshim “reagimin patriotik” të lexuesve ose të komentuesve. Ndonjë syresh merr përsipër të vërë “logjikën tonë të veçantë të llojit shqiptar” (!), përballë “shqetësimit qytetar, intelektual, të pavarur” të ndonjë gazetari, i cili, sa lexohet, aq edhe pëlqehet ose kritikohet. Pyes: Mos vallë “shqetësimi qytetar, intelektual, qytetar” është pronë vetëm e gazetarëve, jo e gjithkujt që i dhemb Çështja Kombëtare? Apo, ngase “kemi mangësi të theksuar etikash të nivelit europian”, ca mund të ligjërojnë sipas qejfit, kurse ca të tjerë të heshtin?
Ma do mendja se specie të tilla nga mjediset e OJQ-ve, kanë ngritur veshët e po presin vendimet e Edi Ramës për emërimin e zëvendësministrave ose të drejtorëve të institucioneve qendrore, që, siç e ka shpallur, do t’i përzgjedhë nga shoqëria civile. Kur Fate Velaj, Shkëlzen Maliqi ose Sandër Lleshi, pse jo X ose Y, që kanë zhbiruar e janë stërvitur me kohë nëpër fondet e majme të Sorosit, të BE-së a të organizatave të tjera ndërkombëtare? A nuk e kanë mbajtur gjithnjë njërën këmbë, të djathtën, në fushën e studimeve politike e sociale, të bamirësisë e të drejtave të njeriut etj., kurse tjetrën, të majtën, në politikë? Në fund të fundit, njëra dorë, lan tjetrën, të dyja fytyrën. Pastaj, aq më mirë nëse X ose Y, kanë kryer ndonjë stazh kulture, diku jashtë kufijve të Shqipërisë, si Fate Velaj. Edhe më mirë, si Shkëlzen Maliqi, në Beograd ose në Zagreb.