Këshilltarët e majtë: Basha të flasë për çmimet e biletave, tashmë bashkia është kthyer në bunker
Këshilltarët e majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës kanë kërkuar që Bashkia e Tiranës të shprehet për rritjen e çmimeve të transportit urban.
Shumë qytetarë të Tiranës na kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me një sensibilitet publik të gjerë për një rritje të mundshme të çmimit të biletave të shërbimit të transportit urban në Tiranë.
Në kushtet e një krize të thellë që po përballen qytetarët e Tiranës, një rritje e çmimit të biletave është e papërballueshme dhe do të ndikonte në vështirësi edhe më të mëdha në jetesën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë dhe të kategorive që sot janë në gjendje të varfërisë të skajshme.
Ne si këshilltarë të opozitës, kërkojmë që Bashkia e Tiranës të shprehet në lidhje me këtë tentativë që do rëndojë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve. Çdo veprim që bie ndesh me interesin qytetar do të marrë si përgjigje kundërshtimin tonë dhe mos pranimin e iniciativave që janë thjesht e vetëm në dëm të komunitetit, tha kreu i këshilltarëve të majtë, Aldrin Dalipi.
E themi këtë se bashkia e Tiranës tashmë është kthyer në një institucion të mbyllur, jo transparent që vetëm hesht pavarësisht disa skandaleve të njëpasnjëshme që i kanë paguar qytetarët e thjeshtë, si në rastin e denoncimit të rritjes së taksave vendore për tregtarët, apo të faturave të ujit për kategoritë në nevojë, të cilët u ngarkuan edhe me taksën e pastrimit.
Ndërkohë që transparenca për dëmtimin e Parkut Kombëtar apo një tenderi miliona lek për instalimin e një sistemi të realizuar nga administrata e mëparshme, vazhdon të jetë zero.