E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PS të mbështesë nismën për imunitetin. Pagat në Shqipëri po parakalojnë vendet e BE

Share

Kryeministri Sali Berisha e nisi mbledhjen e grupit parlamentar duke folur për vendimin e marrë në qeveri për rritjen e pagave.

Berisha tha se rritja e pagave është bërë pa marrë para borxh. Ai shtoi se kjo rritje vjen në një vit me një tremujor të parë shumë të vështirë.

Rritja e rrogave është bërë dhe bëhet duke mos marrë qoftë edhe një qindarkë borxh. 3 mujori i parë i vitit regjistrohet si nga më të vështirët, për disa arsye, njëra prej tyre dimri i thellë që paralizoi të gjithë Shqipërinë. Faktori i dytë ishte thatësira e rëndë. Digat kanë qenë në nivelet më të ulëta historike tyre. Por performanca e mirë e tremujorit të dytë bëri që të marrim vendimin për rritjen e rrogave, tha Berisha.

Kryeministri tha se vendet e rajonit po ulin pagat me 40 përqind, kurse Shqipëria po parakalon vendet e BE për pagë mesatare.

Vende të zhvilluara në rajon kanë vendosur të ulin me 40 përqind rrogat e pensionet. Shqipëria lë pas me rrogë mesatare dy vende të BE dhe vitin që vjen do lërë edhe më shumë se kaq me këtë trend, tha Berisha.

Edhe pse ambasadori danez tha se në Shqipëri ka shumë pak korporata ndërkombëtare të angazhuara direkt, Berisha foli për investime të huaja që kanë kapur vlerën 1 miliard dollarë për një vit.

1 miliard dollarë investime janë dëshmi e krijimit të dhjetëra mijëra vendeve të punës në këtë vend. Një vend pune konvertohet zakonisht me 10 mijë euro. E vërteta është se Shqipëria në saj të investimeve të fuqishme që merr është një papunësi të kontrollueshme. Duhet të kemi parasysh se në dallim nga shumë vende të tjera kemi dy faktorë që ndikojnë tek punësimi. Faktori i parë natyrisht janë qytetarët që hyjnë në moshën e punësimit në qytete dhe faktori i dytë është lëvizja e lirë, tha Berisha.

Më pas kryeministri foli për reformat politike. Ai tha se me PS është rënë dakord që 20 përqind e numërimit të jetë elektronik.

Më shumë duhet të kemi besim tek njeriu se tek high- tech-u, tha Berisha.

Kryeministri nuk foli asnjë fjalë për KQZ-në, por kapërceu tek çështja e imunitetit. Berisha u bazua në disa raportime të medias se PS e ka kushtëzuar votimin për imunitetin me kërkesën që gjykatësit e gjykatave të larta të votohen me 3/5 e votave.

Një çështje madhore në diskutim është çështja e imunitetit. Unë e ftoj edhe njëherë zotin Rama të vendosë për heqjen e imunitetit pasi mazhoranca e ka dorëzuar në Kuvend variantin për ndryshimin e Kushtetutës. Unë e kuptoj që kundër këtij vendimi janë absolutisht ata që kanë frikë nga vetja e tyre. Dhe frikë nga vetja e tyre kanë ata që përzihen në gjëra që nuk duhet të pëzihen. Unë e ftoj zotin Rama ta votojë pasi ne kemi zgjedhur në parlament variantin që ka kërkuar opozita, tha Berisha.

Pretendimet për votimin e gjykatësve me 3/5, do të thotë të tallesh dhe ta bllokosh këtë proces.

Mbajtjen e imunitetit e bën për interes strikt të një grupi në kupolën e partisë.

Të gjitha palët të votojnë dhe të heqin këtë lak që rëndon qytetarët dhe institucionet shqiptare. Shpresoj që ato lajme, të dala nga shtypi, do dëshiroja shumë të jenë lajme të stisura dhe jo të vërteta. Ne kemi paraqitur në parlament variantin që ka mbështetur opozita, kemi hequr dorë nga varianti ynë, vijoi kryeministri.

Berisha tha se shpreson se opozita do të votojë dy projektligje në kuadër të luftës kundër korrupsionit.

Qeveria do sjellë tek ju në kuadër të luftës kundër korrupsionit, dy ligje të amenduara plotësisht, ligji kundër konfliktit të interesit dhe për deklarimin e pasurive. Këto ligje janë hartuar me pjesëmarrjen aktive të institucioneve respektive. Ne do bëjmë gjithçka për të thelluar procesin e transparencës. Uroj që këto ligje të mbështeten nga opozita.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›