Këshilltari i Berishës, Musai: Skam konflikt interesi
Bardhyl Musai, këshilltar i Kryeministrit për arsimin, hodhi poshtë dje akuzat e ngritura nga GSH-ja, konflikt interesi përmes një shkrimi për vjedhje me librat e bibliotekave të shkollave. Kundrejt kësaj shpifjeje, Musai sqaron opinion publik se pas emërimit në detyrën e këshilltarit të jashtëm të Kryeministrit në 27 tetor 2009, ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i Qendrës për Arsim Demokratik (CDE) dhe shtëpia botuese Edualba, pronë e familjes së tij, është shitur, respektivisht me vendimet e gjykatës të datave 2 dhjetor 2009 dhe 14 janar 2010. Prandaj, - shprehet ai, - pohimi i Gazetës shqiptare se jam në konflikt të hapur interesi është i pavërtetë.
Këshilltari i Kryeministrit bën të ditur: Të ardhurat bruto të CDE-së nga shitja e librave të saj për bibliotekat e shkollave arrijnë gjithsej 1 231 920 lekë (afërsisht 8 926 euro), të cilat janë modeste, lehtësisht të verifikueshme përmes faturave, sipas titujve në DAR/ZA, por edhe përmes llogarisë bankare, prandaj pohimi i dytë se kam përfituar shumë është përsëri i pavërtetë. Për më tepër po të verifikohen çmimet e shitjes së librave, atëherë çdokush bindet pa vështirësi se ato nuk kanë për qëllim fitimin dhe për më tepër botohen pa subvencion. Ndërsa, - shton Bardhyl Musai, - vetëm për librat e Edualbës, arkëtimi bruto në total është 3 551 844 (afërsisht 25 738 euro). Sipas tij, edhe kjo shumë është lehtësisht e verifikueshme. Musai argumenton: Për arsyen se pse DAR/ZA zgjedh librat e CDE-së apo të Edualbës, Gazeta shqiptare është mirë të pyesë komisionet e përzgjedhjes, por edhe përdoruesit e tyre se çfarë përfaqësojnë në të vërtetë këto libra për fëmijët, nxënësit, mësuesit dhe publikun e gjerë. Ai vë në dukje se konkurrimi publik në bazë të procedurave ligjore, për ti ofruar vlera bibliotekave shkollore, nuk është as skandal dhe as vjedhje. Unë kontribuoj për zhvillimin e arsimit prej më shumë se tre dhjetëvjeçarësh dhe do të vazhdoj pa pushim e me këmbëngulje deri në fund të jetës sime e për këtë jam krenar që i kam dhënë arsimit kontribut të çmuar edhe përmes botimeve, që ekspertët i kanë vlerësuar të njëjta me ato të standardit perëndimor, si më të mirat në rajonin e Ballkanit.
Në përfundim dua ti kujtoj artikujshkruesve se koha e luftës së klasave është e kapërcyer dhe sot individët apo botuesit klasifikohen për nga vlerat dhe kontributi i tyre për arsimin kombëtar dhe jo nga parapëlqimet politike, - deklaroi këshilltari i Kryeministrit Berisha.