E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këtu edhe shiu bie me inat!

magdaNga Magdalena Ramohito

Natyra jonë reaguese ndaj çdo lloj ngacmimi na bën të dukemi shumë të egër, të ashpër me të tjerët e me vetveten. Në të gjitha bisedat pothuajse palët që diskutojnë, duket se pa e dëgjuar fare tjetrin se çfarë ai në të vërtetë do të shprehë nëpërmjet kanalit të komunikimit verbal apo me shkrim, reagojmë menjëherë për të thënë atë që ne mendojmë se është mbi nivelin mesatar të inteligjencës thjesht për ti mbyllur gojën bashkëbiseduesit në shenjë triumfi duke u vetëkënaqur si një njeri që di të ta tregojë mirë sa ti realisht vlen.

Në një bisedë me një miken time, që sapo ish kthyer nga një qëndrim një javor në Gjermani, po diskutonim pikërisht për këtë gjë. Krahasimi i komunikimit ndërpersonal shqiptar me gjermanët është e qartë se të bën të trishtohesh, por mund të shërbejë vetëm në auditore për ta thënë si një shembull, por edhe në këtë rast sheh koka që mënjanohen majtas djathtas, në shenjë mosaprovimi, dhe kjo është një gjë e mirë, sepse tregon që të rinjtë e njohin veten dhe të njohësh veten është një hap i parë, drejt kërkimit të vlerave dhe parimeve personale, e kjo gjë të gëzon pa masë.

Po i tregoja mikes sime për të qeshur, se nëna e bashkëshortit tim sa hyj brenda, fjala e parë që më thotë:-Po pse zihen e bërtasin kaq shumë,  na bën me dhimbje koke, janë bërë njerëzit si të çakërdisur, mos u ngopshin se për paratë e kanë- kuptohet e ka fjalën për debatet në TV midis politikanëve dhe analistëve gjithashtu-ia kthej duke qeshur-mos u mërzit se flasin me pasion si ta bëjnë Shqipërinë më të mirë dhe ajo më sheh me mosbesim.

Në ngasje të kësaj teme, mikja ime e sapo kthyer gjysmë e trishtuar më tha: nuk e di po edhe shiu atje nuk të bezdis kur bie, menjëherë e hap çadrën, as shqetësohesh për asgjë… dhe duke qeshur shumë me atë që sapo tha- vazhdoi-këtu edhe shiu bie me inat. Sigurisht në një shoqëri si jona, ku asnjëri nuk do të mësojë diçka prej tjetrit, dhe asnjëri nuk ja mban kalin tjetrit , ku asnjërin nuk e kënaq suksesi i tjetrit dhe çdonjëri përpiqet ta pengojë tjetrin, stresi arrin në ato nivele sa edhe hapjen e çadrës e kemi si një lodhje, madje edhe vet shiu na duket sikur bie më me forcë se kudo. Kaq shumë reagojmë ndaj ngacmimeve të vogla fare pa vlerë, ku secili do të jetë lider në atë grupin e tij ku rron, dhe secili lufton për ta mbajtur atë pozicion me çdo kusht, sa detyrimisht vjen konsumimi. Ngaqë konsumohesh shumë shpejt nëse në përgjithësi reagon, atëherë së shpejti nuk do të reagosh më, kjo duhet të jetë logjika. Dhe me asgjë nuk konsumohesh më shpejt se me pasionet e mërzisë. Inati, sedra e sëmurë, pafuqia për tu hakmarrë, etja dhe shija e hakmarrjes, helmi në çdo kuptim, kjo është mënyra më e dëmshme e reagimit për të rraskapiturit.

Një humbje e forcës nervore është rrjedhoja, një shtim sëmundjeprurës sekrecionesh të dëmshme, për shembull derdhjet e tëmthit në stomak. Për të sëmurin, mëria është një gjë e ndaluar në vetvete, për personin që e mbart është e keqja e tij; por mjerisht ajo është në të njëjtën kohë edhe prirja e tij natyrale.

Nuk ka tek ne deri sot një njeri në shoqërinë tonë, që të marrë mbi vete jo ndëshkimin, por të paktën fajin. Dhe nëse do të kishte ndonjë të tillë politikan, që të merrte një herë të vetme përsipër fajin kjo do të ishte me të vërtetë hyjnore.

Kemi shekuj që urrehemi. Një urrejtje e pakuptimtë e trashëguar në breza që tenton të ringjallet nga individë me interesa kush e di se çfarë, po kryesisht nga dëshira për të mbajtur pushtetin me çdo kusht. Ngjajmë si një shoqëri e sëmurë nga mëria, nga armiqësia e kjo na është përpara syve çdo ditë në debatet në TV, në komentues të ndryshëm në rrjetet sociale, që sa vjen e shtohet edhe për shkak të zgjedhjeve politike që kemi përpara dhe kjo është justifikuese deri në një pikë, sepse njëra palë ajo opozitare është tmerrësisht e persekutuar dhe zemërimi e mëria e karakterizon, por pafuqia për të ndryshuar gjë në këto 8 vjet ka sjelle një mungesë reagimi, prandaj pjesa e pushtetit shton agresivitetin për të mos lejuar të zgjohet plotësisht forca reaguese opozitare.

Këto urrejtje që lindin nga dobësi, shprehen me emra anonime, dhe duket se është një armiqësi, që lind nga dobësia dhe për ta çliruar shpirtin nga kjo dobësi, armiqësia e tyre nuk do të marrë fund me armiqësi, por me miqësi, sepse ajo do tua çlirojë shpirtin nga dobësia.

Ndërsa lufta është gjë tjetër. Ti mund të jesh armik është gjëja që haset tek një natyrë e fortë, ajo ndien nevojë për rezistencë, prandaj kërkon rezistencë. Pasioni i agresionit thonë filozofët i përket forcës, po aq sa shumë i përket dobësisë, ndjenja e hakmarrjes dhe mërisë. Dy forca kundërshtare politike nuk janë armike, por aty ka një luftë. Dhe luftaraku është ai që kërkon rezistencë, çdo rritje fuqie konsiston në të kërkuarin e kundërshtarit më të fuqishëm, ose të një problemi më të fuqishëm. Sepse një politikan luftarak sfidon në duel edhe një problem, ashtu si edhe një filozof apo shkencëtar në fushën e tij.

Në fund të fundit njeriu i fortë kërkon barazi përballë kundërshtarit, ky është edhe kushti i parë i një dueli të ndershëm. Aty ku ka mospërfillje nuk mund të bëhet luftë, aty ku ndihet se është më poshtë se ne nuk ka luftë. Gjithashtu lufta nuk është midis personash, personat shërbejnë si lupë, për të parë aty gjënë e padukshme rrezikun, që mund të na sjellë fatkeqësi të paparashikueshme, e cila kuptohet me vështirësi. Pra anonimët janë njerëz të sëmurë nga zilia, mëria, hakmarrja, dhe ata mund të shërohen vetëm nëpërmjet miqësisë, jo armiqësisë. Luftëtari i bën nder ndonjë emri ndërsa e vendos si objekt të sulmit të tij, ai e lidh me emrin e tij pa dashje, pak rëndësi ka nëse e bën për ta përkrahur apo luftuar.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›