Deklaratat e Naços dhe axhenda e socialistëve
Kanë ngjallur shumë debat ndër opinionistët që shkruajnë nëpër gazeta apo që janë pjesë e paneleve televizive, si dhe te komentuesit e blogjeve online, deklaratat e deputetit të LSI-së në qarkun e Beratit, zotit Nasip Naço, sipas të cilit Ilir Meta do të jetë kryeministri i qeverisë së ardhshme të pas 23 qershorit apo që LSI do të dalë forca e parë e koalicionit opozitar. Zoti Naço spo lë rast pa e rikonfirmuar deklaratën që bëri fillimisht në Kuçovë, duke krijuar si padashje një tjetër axhendë brenda kampit opozitar. I vënë në qendër të vëmendjes (si askush tjetër në LSI, veç Metës) zoti Naço ndoshta po e shfrytëzon këtë edhe si një reklamë personale, si përsa i përket elektoratit të LSI-së, ashtu edhe në sytë e kryetarit Meta, çka mund të ketë ngjallur edhe njëfarë xhelozie mes kandidatëve të tjerë.
Këto deklarata janë shfrytëzuar nga kampi qeveritar si një amulli e opozitës e cila, sipas tyre, nuk e ka përcaktuar ende se cili do jetë kryeministër i saj. Por, kjo amulli ku dëshiron ta kanalizojë debatin mazhoranca, duket se është tek ata vetë, nga paniku që i ka zënë prej bashkimit të së majtës.
Nga ana e tij, vetë kandidati Edi Rama, sa herë është pyetur nga gazetarët rreth kësaj çështje, e ka trajtuar me shumë qetësi duke thënë se, këtë e vendosin zgjedhësit me votën e tyre dhe pastaj është Kushtetuta ajo që përcakton se cila parti ka të drejtën për të marrë drejtimin e ekzekutivit. Duket se zoti Rama nuk është emocionuar shumë nga deklaratat e zotit Naço, duke vijuar bashkëbisedimin e tij intensiv dhe shumë produktiv me popullin opozitar në sheshe e salla, apo dhe në takime më të mbledhura si këto të fundit të quajtura Këndi i Fjalës.
Në fakt, deklaratën e deputetit Naço, në ndryshim nga shumë të tjerë, unë e shoh me shumë pozivitet përsa i përket PS-së. Dhe do përpiqem ta shpjegoj më poshtë.
Në këto zgjedhje, janë disa kategori zgjedhësish që do të votojnë Partinë Socialiste:
Grupi i parë- janë ata tradicionalët, anëtarët dhe militantët e saj të vendosur, që ia japin votën Partisë Socialistë, pavarësisht se cili është kryetar i radhës. Ata janë grupi që janë lidhur shpirtërisht me këtë parti dhe që janë baza e qëndrueshme saj në çdo palë zgjedhje.
Grupi i dytë- përbëhet nga ata që duan doemos rrotacionin politik, vetëm që të ikë nga pushteti Sali Berisha. Nuk është se kanë shumë besim te Partia Socialiste, por kësaj here e shohin atë si të vetmen shpresë që ajo të fitojë edhe për ata.
Grupi i tretë- janë ajo kategori të cilëve programi i PS-së: Për një Rilindje Shqiptare, u ka dhënë shpresë e besim se ky vend do të bëhet, se shteti do të funksionojë dhe institucionet do jenë në shërbim të qytetarëve.
Grupi i katërt- janë ata që, nga antipatia 4 vjeçare që kanë për Ilir Metën dhe rolin e LSI-së në qeverinë Berisha, të nisur edhe nga deklaratat disi provokuese të zotit Naço, duan që LSI-ja të mos jetë nesër forcë përcaktuese e qeverisë socialiste. Për këtë, ata do votojnë specifikisht nr.29, që Partia Socialiste të arrijë të marrë votat e mjaftueshme për të kapur minimumi 71 ulëse në Kuvend, gjë që i krijon komoditet për të qeverisur pa ato përqindjet e ndarjes të pushtetit të cilat më vonë kthehen në burim infeksioni për mirëqeverisjen e vendit. Kjo sdo të thotë se ata duan që PS-ja të qeverisë e vetme, por nuk duan që ajo të jetë e kushtëzuar në shumë reforma të mëdha, për të ngritur shtetin e qytetarit dhe jo të pushtetarit.
Të gjithë këto grupe nuk e përjashtojnë njëra- tjetrën. Ka mes tyre votues që kanë qëllime të përbashkëta me secilën nga katër kategoritë që shpalosa. Sigurisht që mund të ketë edhe më shumë grupe interesi brenda një formacioni politik. Por e rëndësishme është që të gjithë janë në funksion të një qëllimi të përbashkët e madhor: ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste për të vënë në jetë programin e saj të Rilindjes, si mundësia e vetme për ta shpëtuar Shqipërinë nga gremina shumëplanëshe ku e ka katandisur kryeministri në ikje Sali Berisha.
