E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kikia: Rama transfuzionon gjeneratat në PS, ka zbutur efektin Veliaj! Ka larguar të vjetrit, pa shkaktuar pakënaqësi

Analisti Mentor Kikia ka deklaruar në specialen e drejtuar nga gazetarja Sonila Agostini në RTSH1 se me krijimin e qeverisë dhe caktimin e ministrave pa portofol është munduar që të neutralizojë influencën e Erion Veliajt në Partisë Socialiste.

Në analizën e tij  Kikia thekson rolin dominues të Ramës në “transfuzionin e gjeneratave” brenda partisë, duke e krahasuar me një lojë shahu.

 “Futja e dy 2 ministrave, edhe pse pa portofol, thjesht që i përkasin ish-grupit të Veliajt është një dëshmi që ai sërish ka luajtur dhe ka manovruar për të zbutur sa më shumë efektin Veliaj në Partinë Socialiste”, u shpreh Kikia.

Kikia shpjegoi se pjesa tjetër e qeverisë reflekton një proces të thellë rinovimi, i cili nuk vjen nga vota e elektoratit apo strukturat partisë, por nga vetë Edi Rama.

Ai e sheh këtë si një veprimtari të qëllimshme për të injektuar gjak të ri në PS, duke larguar figurat e vjetra pa shkaktuar pakënaqësi.

“Pjesa tjetër është dëshmi e zgjedhjeve. Kishte deputetë të rinj, ka ministra të rinj sepse Rama ka bërë atë që nuk e bën votuesi me votë. Nuk e bëjnë strukturat e partisë. Rama i transfuzion gjeneratat në Partinë Socialiste në një lojë shahu, ai përcakton kush do “vritet” nga ushtarët, kush do dalë në pension, kush do të jetë në skalionin e parë dhe kush janë skuadrat që vijnë” –theksoi më tej Kikia.

Në vazhdim të analizës së tij, Kikia nënvizoi se ky proces nuk është thjesht politikë e përditshme, por një strategji e Edi Ramës.

Kika vuri në dukje se kjo gjendje politike në PS është në kontrast me atë në Partinë Demokratikeku, sipas tij, ndryshimet janë të kufizuara nga besnikëria e verbër ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Këtu Rama nuk bën thjesht politikë. Nëse Partia Demokratike është duke u ndryshkur me një grup besnikësh të verbër të Sali Berishës që nuk e lëshojnë këtë besnikëri dhe qerasen thjesht me një mandat deputeti, Rama është treguar i paskrupullt në këtë drejtim. Ka larguar të vjetrit, ka mbytur pakënqësitë, nuk i ka lënë të organizohen dhe ka sjellë gjenerata të reja që kanë qenë më besnike se të vjetrit dhe e ka transfuzionuar” – deklaroi analisti, duke vënë në dukje se ky “transfuzion” ka arritur të krijojë një grup parlamentar ku mbi 50 për qind e deputetëve janë të rinj.

Ky rinovim, sipas Kikisë, ka pasur një ndikim të madh në perceptimin publik të PS-së, duke e prezantuar atë si një forcë të re dhe dinamike.

“Grupi parlamentar i Ramës ishte mbi 50 për qind i ri. Kjo krijoi në publik perceptimin në publik të rinovimit të Partisë Socialiste dhe kjo gjë shikohet edhe në qeveri” – përfundoi ai, duke theksuar se qeveria e re pasqyron këtë imazh të freskët, i cili mund të ndihmojë Ramën në mandatin e tij të katërt.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›