E Martë, 3 Nëntor 2026

Kim Jong Un: Forcimi i bashkëpunimit strategjik, temë kryesore e takimit me Putinin

Presidenti rus Vladimir Putin dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un ranë dakord për thellimin e marrëdhënieve mes vendeve të tyre, gjatë një takimi në ditën e parë të vizitës së Putinit në Korenë e Veriut, thuhet në një njoftim të medias shtetërore të Koresë së Veriut.

Kim Jong Un e priti Putinin në aeroportin e Phenianit, duke i shtrënguar dorën, duke u përqafuar dhe duke biseduar me të. Më pas, ata hipën në të njëjtën makinë dhe shkuan së bashku në hotelin, ku do të qëndrojë udhëheqësi rus.

Kjo është vizita e parë e Putinit në Korenë e Veriut në 24 vjet, gjatë të cilës ai është zotuar të thellojë lidhjet tregtare dhe ushtarake me shtetin e izoluar, që ka armë bërthamore dhe ta mbështesë atë kundër Shteteve të Bashkuara.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve të Koresë së Veriut “KCNA”, takimi mes dy udhëheqësve është shenjë e një miqësie dhe uniteti të “pamposhtur dhe të qëndrueshëm” mes Koresë së Veriut dhe Rusisë.

Marrëdhëniet mes Koresë së Veriut dhe Rusisë po “shndërrohen në një kështjellë të fortë strategjike për mbrojtjen e drejtësisë, paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe në një motor për përshpejtimin e ndërtimit të një bote të re shumë polare”, tha agjencia e lajmeve “KCNA”.

Zyrtarët në Uashington dhe Seul thonë se Koreja e Veriut e ka furnizuar Rusinë me armë për ta ndihmuar luftën e saj në Ukrainë.

Moska dhe Pheniani kanë mohuar transferimin e armëve, por janë zotuar të rrisin lidhjet ushtarake, që mund të përfshirë mbajtjen e stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

Presidenti rus Vladimir Putin mbërriti në Korenë e Veriut të mërkurën, njoftuan agjencitë ruse të lajmeve, disa orë pasi ai tha se të dy vendet duan të bashkëpunojnë ngushtë për të tejkaluar sanksionet e vendeve perëndimore të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

Presidenit rus Putin, para udhëtimit të tij të parë në Korenë e Veriut në 24 vjet, tha se ai e vlerësonte mbështetjen e Phenianit për operacionet e Moskës në Ukrainë.

Ai tha se dy vendet do të vazhdojnë të “kundërshtojnë me vendosmëri” ato që i quajti ambicie perëndimore “për të penguar vendosjen e një rendi botëror shumë polar të bazuar në drejtësi, respektin e ndërsjellë për sovranitet dhe interesat e njëri-tjetrit”.

Vizita e zotit Putin vjen mes shqetësimeve në rritje për një marrëveshje armësh, që do të siguronte furnizimin e Moskës nga Phenani me municione të nevojshme për luftën e Rusisë në Ukrainë në këmbim të ndihmës ekonomike dhe transferimeve të teknologjisë. Ekspertët thonë se kjo do të rriste kërcënimin nga programi i armëve bërthamore dhe ai i raketave me rreze të gjatë veprimit të Koresë së Veriut citon VOA.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›