Parlamenti bullgar nuk voton Kryetarin, Borisov i druhet zgjedhjeve të reja

Parlamenti i Bullgarisë pezulloi të mërkurën seancën për zgjedhjen e Kryetarit, pasi asnjëra prej kandidaturave nuk mori mbështetjen e kërkuar.
Në zgjedhjet e 9 qershorit, partia GERB e ish-kryeministrit Bojko Borisov (o. Boyko Borissov) fitoi shumicën e votave, por jo shumicën e mandateve parlamentare (68 të tilla nga 240 gjithsej), që u deshën edhe të mërkurën për të zgjedhur kandidaten Raja Nazarjan (o. Raya Nazaryan) për kryeparlamentare. Znj. Nazarjan mori 115 vota pro në raundin e parë të votimit, 69 kundër dhe 53 deputetë abstenuan.
Z. Borisov tha se partisë së tij si fituese e zgjedhjeve i takon vendi i kryeparlamentarit, ndërsa pa pasur suportin e partive të tjera vendi rrezikon të mos formojë dot as qeverinë e re.
“Nuk jam optimist nëse doni ta dini. Tradicionalisht partia më e madhe merr kryetarin e Parlamentit. Tani po shohim që po fluturojmë drejt zgjedhjeve të reja, sepse këtu nuk ka parti të përgjegjshme. E kam thënë 100 herë se nuk formojmë dot koalicion vetëm me Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë (MRF), por duhet një format më i gjerë,” tha ish-kryeministri Borisov, duke sugjeruar se qeveria e re duhet formuar me të paktën tri prej forcave më të mëdha politike.
Votimi i kryeparlamentarit u vendos të shtyhet për të enjten paradite.
Zgjedhjet e këtij muaji ishin të gjashtat në tri vite dhe pa konsensus mund të shkohet sërish në kutitë e votimit. Vetë z. Borisov ka kryesuar tri qeveri nga viti 2009 deri në 2021, kur dha dorëheqjen pas protestave antikorrupsion. /BTA, SG
/rtsh.al/