E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kim: SHBA janë seriozë sa i përket korrupsionit

Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka deklaruar se SHBA janë seriozë sa i përket korrupsionit duke përfshirë rastet kur liderët ose politikanë të lartë të vendeve të caktuara përfshihen në çështje korrupsioni masiv. Deklaratën e saj zonja Kim e publikoi në rrjetet sociale nga Washingtoni. Ajo shihet si përgjigje ndaj ish kryeministrit dhe ish kreut të PD Sali Berisha, i cili gjatë një taki me përkrahësit e tij në Fier të martën, tha se materialet ku u bazua vendimi i DASH për shpalljen e tij “non grata” janë shpifje. Berisha u shpreh se nuk ka mohuar ekzistencën e dosjes, por tha se ato janë të bazuara në raporte të NGO-ve, të organizatave të shoqërisë civile, në raporte të mediave dhe të qeverisë së Ramës.
Zonja Kim tha se SHBA do jenë në Shqipëri edhe për 30 vitet e ardhshme dhe më gjatë, siç ka qenë këto 30 vite.
“Në Uashington për të koordinuar hapat e ardhshëm në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri. Ne jemi seriozë sa i përket korrupsionit duke përfshirë rastet kur liderët ose politikanë të lartë të vendeve të caktuara përfshihen në çështje korrupsioni masiv. Ndërsa, mbështesim një Shqipëri më demokratike, më të fortë dhe më të begatë. SHBA ka qenë në Shqipëri për 30 vitet e fundit dhe do të vazhdojmë të jemi me ju për 30 vitet e ardhshme e më tej”, ka shkruar ambasadorja Kim në rrjetet sociale.
Në maj të këtij viti SHBA njoftoi se ka futur në listën e zezë Sali Berishën dhe famlijarët e tij. “Aktet e korrupsionit nga ish-Presidenti i Shqipërisë Sali Berisha kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Unë jam duke deklaruar publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për hyrë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Ne mbetemi #BashkëKundërKorrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, thuhet në postimin e Sekretarit te Shtetit Antony Blinken me këtë rast.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›