E Diel, 1 Nëntor 2026

Kinë, një qytet i tërë izolohet nga epidemia e pneumonisë

Lajmi u bë i ditur sot nga media shtetërore, ndërkohë që Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se epidemi të tilla nuk ishin një risi.

Rreth 10 persona të tjerë janë prekur nga sëmundja në rajonin etnik tibetian, në provincën jo shumë të populluar Qinghai, deklaroi agjencia e lajmeve Hsinhua. Qyteti i Ziketan dhe rrethinat e tij janë vendosur plotësisht në izolim, deklaroi Ministria kineze e Shëndetësisë.
    
Kina preket shpesh nga epidemi të tilla periodike të sëmundjeve pneumonike, që barten zakonisht nga brejtësit dhe parazitët, transmetohet përmes ajrit dhe përhapet lehtë në mesin e njerëzve. Por OBSH-ja deklaroi se nuk ishte veçanërisht e shqetësuar nga kjo epidemi.
    
"Kjo nuk është diçka e re", deklaroi zëdhënësja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë me seli në Pekin, Vivian Tan.
    
"Ka patur raportime të disa rasteve sporadike përgjatë viteve. Nuk jemi të habitur me shfaqjen sërish të kësaj sëmundjeje. Jemi në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet për të garantuar mbajtjen e situatës nën kontroll", deklaroi ajo.
    
Ajo shtoi gjithashtu se fakti që epidemia kishte nisur në një rajon të veçuar të vendit "do të kontribonte në zbutjen" e impaktit të saj.

                                                                                             

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›