Kina blen 60 avionë të Airbus
Kina ra dakord që të blejë 60 avionë të prodhimit europian nga kompania Airbus. Lajmi u bë i ditur gjatë vizitës që Presideni i Francës, Francois Hollande, po realizon në Kinë.
Në bazë të çmimeve aktuale të tregut, marrëveshja ka një vlerë prej tetë miliardë dollarësh.
Një akord i tillë ka një rëndësi të shtuar duke konsideruar se prej dy vitesh Kina kishte bojkotuar avionët Airbus, duke preferuar rivalët amerikanë të Boeing, pasi Bashkimi Europian i hoqi të drejtën e fluturimit shumë prej firmave kineze për shkak të mungesës së kontrollit në emetimet e karbonit.
Midis avionëve që do ti shiten kompanive kineze, shumë prej të cilave me kapitale të plota apo të pjesshme shtetërore, do të jenë 42 avionë të llojit A320 dhe 18 të modelit me kapacitet të shtuar, A330.
Marrëveshja u firmos gjatë vizitës së Hollande, në të cilën po diskutohen edhe një sërë çështjesh të tjera, me synim përtëritjen e marrëdhënieve tradicionale të miqësisë midis Francës e Kinës.
Ndonëse me qendër në Tuluzë, në jugun e Francës, pjesët e avionëve të Airbus prodhohen në disa vende europiane njëkohësisht.