E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kinë, çelet festivali i skulpturave të akullit

"Qyteti dimëror" i Kinës Janqing po feston periudhën më të ftohtë të vitit me një festival akulli, me temë mirëqenien dhe prosperitetin. Qindra skulptura akulli të ndërtesave tradicionale kineze janë paraqitur në "qytetin", që ndodhet në pjesën veriperëndimore të Pekinit. Për banorët vendas, skulpturat vezulluese të akullit janë një mënyrë tradicionale për të pritur Vitin e Ri Kinez, që vjen më 26 janar. I gjithë akulli i përdorur për skulpturat është marrë nga një lumë në një zonë pranë qytetit. Dritat e gjithëngjyrshme tërhoqën shumë persona nga Pekini, të cilët kërkonin të arratiseshin nga stresi i përditshëm i jetës. "Jam shumë i lumtur. Ky qytet akulli është shumë i bukur. Ne kemi ardhur këtu që të qetësohemi duke parë këto skulptura akulli dhe po heqim stresin e përditshëm, si dhe po kënaqemi me pamjet e ofruara", tha Uang Ueni, njëri nga vizitorët. Tema e këtij festivali të përvitshëm është paraqitja e një Kine të begatë dhe në harmoni, pas ngadalësimit të zhvillimit ekonomik, për shkak të krizës financiare globale. "Unë ndihem shumë e emocionuar kur shoh këto skulptura akulli. Ato përfaqësojnë shpirtin e pamposhtur, edhe pse po përballemi me një krizë financiare. Sipas meje, për aq kohë sa do të qëndrojmë të bashkuar, ne mund të kapërcejmë cdo vështirësi", u shpreh Kao Hongkun, një tjetër vizitore. Festivali i vitit të kaluar i skulpturave të akullit iu dedikua Lojërave Olimpike të verës, "Pekin 2008".

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›