Kinë/ iphone 5 i merr jetën 23-vjeçares
I bie zilja e iphone 5-ës ndërkohë që ai ishte në karikim,përgjigjet dhe papritur një valë korrenti i merr jetën. Ngjarja ka ndodhur në Kinë dhe viktima është një stjuardese 23-vjeçare.
Ky lajm është bërë i ditur nga e përditshmja britanike Daily Mail, sipas të cilës Ma Ailun, ish-punonjëse e China Southern Airlines, ka marrë një elektroshok të dhunshëm nga celulari.
Ajo ka rënë në tokë, është shoqëruar menjëherë në spital nga njerëzit e afërt, por mjekët nuk kanë arritur ta mbajnë në jetë.
Apple ka reaguar menjëherë duke njoftuar se ka nisur një hetim të hollësishëm për të kontrolluar sigurinë e produktit më të shitur të saj.
Jemi thellësisht të trishtuar nga ky incident tragjik dhe i bëjmë ngushëllimet tona familjes Ma. Do të bëjmë një hetim të thellë dhe do të bashkëpunojmë me autoritetet, ka deklaruar Apple përmes një email-i.
Lajmi për vdekjen e asistentes së fluturimit, vetëm 23 vjeç, është publikuar edhe nga agjencia zyrtare kineze Xinhua, që saktëson se vajza jetonte në rajonin perëndimor Xinjiang. P.K


