E Enjte, 5 Nëntor 2026

Kinë, politika të reja për kufizimin e plastikës jo të shpërbërshme

Si pjesë e përpjekjeve për të mbrojtur më mirë mjedisin, Kina po zbaton një politikë të re për të frenuar përdorimin e produkteve prej plastike që nuk shpërbëhet, duke filluar nga e premtja.

Politika, e shpallur nga Komisioni Kombëtar i Zhvillimit dhe Reformës dhe Ministria e Ekologjisë dhe Mjedisit e Kinës në janar të vitit të kaluar, do të mbulojë të gjitha qytetet e qytezat në mbarë vendin në vitin 2022. Tregjet që ofrojnë prodhime të freskëta, përjashtohen nga kjo politikë deri në vitin 2025, teksa zonat rurale dhe fshatrat inkurajohen të heqin dorë para kësaj kohe prej përdorimit të qeseve plastike që nuk shpërbëhen.

Kina ndaloi ofrimin falas të qeseve plastike të ushqimeve në vitin 2008, si hapi i parë për frenimin e ndotjes prej plastikës. Ndalimi i ri përfshin qeset, pipëzat dhe lugët, thikat e pirunët prej plastike që nuk shpërbëhet.

Shumë supermarkete, qendra tregtare dhe kompani dërgimi tani po bëjnë ndryshime mbi bazën e kësaj politike të re. Tashmë nxitet përdorimi i qeseve plastike të ripërdorshme ose të shpërbërshme në supermarkete. 

Një biznes tjetër që përfshin një përdorim të tepruar të qeseve plastike, janë shërbimet e postës së shpejtë. Me rritjen e tregtisë elektronike në fillim të viteve 2000, Kina ka pasur një zhvillim të shpejtë të kësaj industrie.

Statistikat tregojnë se rreth 80 miliardë pako janë dërguar në tërë Kinën vetëm në vitin 2020. Politika e re parashikon që deri në fund të vitit 2022, pikat postare në disa qytete dhe provinca kineze pilot, duke përfshirë Pekinin, Shangain dhe Guangdong-un, do të ndalojnë përdorimin e ambalazhit jo të shpërbërshëm dhe do të ulin përdorimin e shiritave të paketimit. Rregullat do të shtrihen në të gjitha pikat që ofrojnë shërbime postare deri në fund të vitit 2025.

Shumë kompani të postës së shpejtë kanë filluar të bëjnë ndryshime. “SF Express” e Kinës po përdor një lloj të ri të pakosh për të zëvendësuar ato prej plastike dhe kartoni, të cilat mund të ripërdoren mesatarisht rreth 100 herë.

Produktet plastike, të shpikura në fillim të shekullit të 20-të, i kanë sjellë shumë lehtësi shoqërisë njerëzore. Megjithatë, disa dekada pas shpikjes së plastikës, është bërë e qartë përmasa e vërtetë e ndikimit të saj shkatërrues ndaj mjedisit.

Një raport nga Fondacioni Botëror i Natyrës parashikon që, deri në vitin 2030, 104 milionë tonë të tjerë plastike pritet të hyjnë në ekosistem nëse nuk bëhen ndryshime të mëdha në drejtim të asgjësimit të mbetjeve plastike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›