Kirbi: SHBA-të janë për vazhdimin e dialogut

Ambasadori amerikan në Beograd Majkel Kirbi ka thënë sot se SHBA e mbështesin vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit e Prishtinës në mënyrë që të gjendet zgjidhja e zbatueshme dhe e pranueshme për të dy palët dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e përfshirjes eventuale të Uashingtonit në këtë proces, varësisht nga kërkesa e Beogradit dhe Prishtinës.
Kirbi u ka thënë gazetarëve se “shpresoj se nëse jo sot, dialogu do të vazhdojë dhe sa më shpejtë do të arrijmë marrëveshjen përfundimtare sepse kjo, sipas mendimit tim, do të ishte më mirë për situatën e përgjithshme në Serbi”.
I pyetur nëse SHBA-të do të ishin të gatshme që të kyçen aktivisht në dialog, ambasadori Kirbi ka thënë se “pavarësisht se çfarë do të jetë dialogu, forma do të varet nga fakti se çfarë kërkesa do të na dërgojnë Beogradi dhe Prishtina. Ju lutem që para se ta varrosim këtë dialog, të shohim nëse ekzistojnë edhe disa gjëra mbi bazat e të cilave ai do të mund të vazhdojë. SHBA janë të gatshme ta mbështesin një gjë të tillë, por më duket se format nuk janë të qarta në asnjërën palë”, ka cekur Kirbi.
Mirëpo, ambasadori amerikan ka vlerësuar se do të ishte mirë që edhe pala e Prishtinës ta zgjerojë rrethin e vet negociator sikurse ka vepruar Beogradi në raundin e tetë të dialogut dhe ka cekur se gjithsesi është më pak e rëndësishme se kush merr pjesë në bisedime nga ajo nëse të dy palët do t’ia dalin të merren vesh.
Ndonëse afati i sotëm që e ka shtruar zonja Eshton ka qenë i lidhur me marrjen e datës për fillimin e negociatave të Serbisë me BE, pyetje kryesore për Qeverinë e Serbisë, dhe për BE-në e Prishtinën është se a mund të arrihet marrëveshja e cila do të jetë e zbatueshme dhe e pranueshme për të dy palët”, ka cekur Kirbi./Indeksonline/