E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish punonjësi i OKB-së në Kosovë kërkon më tepër para

Në punonjës rebelues i Kombeve të Bashkuara, i cili ka pasur sukses me ankesën e tij kundër shkarkimit, pasi i kishte akuzuar zyrtarët e lartë të OKB-së për korrupsion, e që më vonë i është lejuar një pjesë e shumës së parave të kërkuara si dëmshpërblim, tash i ka bërë thirrje Departamentit amerikan të shtetit, që ta mbajë pjesën e kontributit amerikan në OKB.

James Wasserstrom, shtetas amerikan, që ishte zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, tha se pagesa, që i ishte ofruar në muajin mars, ishte 65 mijë dollarë amerikanë nga një Tribunal i Kombeve të Bashkuara, që paraqet 2% të shumës së kërkuar prej 3.2 milionë dollarësh, shkruan e përditshmja Wall Street Journal. Në këtë kuadër gazeta transmeton mendimin e tij se kjo mund të jetë një lloj elementi që rebelët e ardhshëm të OKB-së të heshtin.

“Kjo me të vërtetë nuk ka të bëjë me para, por shuma e dërgon një mesazh te ata që kritikojnë: heshtni”, thotë zoti Wasserstrom dhe shton se “Tash pengesa është edhe më e fortë kundër njerëzve që vendosin të flasin dhe përpiqen të bëjnë gjëra të drejta”.

Një gjyqtar i Tribunalit të pavarur të Kombeve të Bashkuara në këtë rast, ka vlerësuar se trajtimi i Kombeve të Bashkuara ndaj zotit Wasserstrom ishte “i pandjeshëm, autoritar dhe arbitrar” dhe se dëmi që i ishte bërë atij ishte “ekstrem”.

Zoti Wasserstrom, i cili tash punon në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kabul të Afganistanit, tha se ai do t’i dërgoj letër sekretarit amerikan të shtetit, John Kerry, për të kërkuar që Shtetet e Bashkuara ta mbajnë shumën prej 15% të detyrimeve ndaj Kombeve të Bashkuara.

E përditshmja Wall Street Journal më tutje thekson se në letër do të citohet një akt i Kongresit, i miratuar në vitin 2012, që juridikisht kërkon që Uashingtoni ta mbajë shumën nëse OKB “nuk ndërmerr hapa për...implementimin e praktikave më të mira për mbrojtjen e rebeluesve nga hakmarrja”, përfshirë “rezultatet që eliminojnë efektet e hakmarrjes”.

Kombet e Bashkuara e kanë humbur rastin në vitin 2012, dhe kanë thënë se do të ankohen. Por, prej se është caktuar çmimi në muajin mars, nuk është thënë se a do të vazhdoj me procesin e ankimit. Zyrtarët nuk janë përgjigjur ndaj kërkesës për koment, shkruan Wall Street Journal.

Zoti Wasserstrom ishte shef i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, që i mbikëqyrte kompanitë në pronësi publike. Në vitin 2007 ai e ka alarmuar Zyrën për etikë të OKB-së për skemën e ryshfetit prej 500 milionë dollarësh, në të cilin ishin të involvuar zyrtarët më të lartë të OKB-së në Kosovë.

Në përgjigje, ai tha se kontrata e tij nuk ishte vazhduar, shtëpia e tij ishte bastisur, ai ishte arrestuar nga policia e OKB-së, fotografia e tij ishte dërguar në kapacitetet e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, duke e ndaluar hyrjen e tij, ndërsa ishte subjekt i hetimeve penale dhe administrative, shkruan Wall Street Journal.

Tribunali i Kombeve të Bashkuara, që ishte themeluar në vitin 2009, për t’i dëgjuar rastet e të punësuarve në OKB, ka vendosur në favor të tij, duke thënë se ai ishte subjekt i “keqtrajtimit dhe degradimit”.

Tribunali nuk ka vendosur lidhur me akuzat e zotit Wasserstrom për korrupsion, pasi OKB-ja e refuzoi kërkesën e tribunalit të pavarur, që t’ia dërgoj raportin e hetimeve.

Zoti Wasserstrom tha se megjithëqë Tribunali e ka shpërblyer atë vetëm me 50 mijë dollarë për dëme dhe 15 mijë dollarë për shpenzime gjyqësore, gjyqtari i tribunalit ka dështuar të ndërmarrë aksion kundër atyre zyrtarëve, për të cilët ai ka thënë se e kishin bërë atë subjekt të dëmit “skandaloz” dhe “të tmerrshëm”, shkruan në fund të artikullit e përditshmja Wall Street Journal./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›