E Diel, 1 Nëntor 2026

Kisha Shën Maria kthehet në skenë teatri

Kisha Shën Maria në lagjen ‘Kala’ në Elbasan, kthehet në skenë teatri. Shfaqja e trupës nga Sardenja e Italisë është ndjekur nga qytetarë besimtarë që vijnë çdo ditë aty për të kryer ritin e lutjes. Ky ishte edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove, që u mbajt këto ditë në qytetin e Elbasanit. Ndryshe nga vitet e tjera, ky event i rëndësishëm kulturor me përmasa kombëtare e ndërkombëtare, u zhvillua jashtë skenës së teatrit për arsye se godina e teatrit ‘Skampa’ u dogj nga flakët gushtin e këtij viti dhe ende nuk ka përfunduar. Për mbarëvajtjen e festivalit shërbyen mjaft ambiente të Elbasanit, duke e kthyer këtë qytet në vetvete në një skenë gjigante të promovimit të kulturës.

Kështu, në edicionin e 13-të të këtij teatri, trupa të huaja e vendase improvizuan skena teatri në kinema “Millenium”,tek hamami i Elbasanit, Teatri i Kukullave, Qendra Rinore ‘Riemar’ dhe së fundmi skenë teatri u kthye dhe kisha Shën Maria në lagjen ‘Kala’.

Lidhur me edicionin e sivjetshëm, drejtori artistik i Festivalit, regjisori Adonis Filipi, u shpreh se “festivali i sivjetshëm ishte një festë e bukur falë mbështetjes së artistëve vendas e të huaj, të cilët u solidarizuan me këto vështirësi e sollën vlerat e këtij sezoni”. Ai nënvizoi faktin se veç të tjerash, ky edicion promovoi edhe vlerat historike, kulturore e turistike të Elbasanit, pasi u zhvillua në disa ambiente të qytetit. Shfaqja e fundit e këtij festivali u zhvillua në kishën Shën Maria, e lidhur me këtë risi regjisori Adonis Filipi u shpreh se “edhe teatri duhet konceptuar si religjion”. Aktori Alfred Trebicka u shpreh se “ky sezon kishte specifikën e tij unike, e cila lidhet me djegien e teatrit Skampa”. Por sipas tij, edicioni i sivjetshëm tregoi se Elbasani e do teatrin. “Kjo përvojë, - tha Trebicka, - do të shërbejë për një vëmendje më të madhe për teatrin dhe për financime më dinjitoze në të ardhmen”. Ndërsa regjisori rumun, Vlado Laszlo është shprehur me shumë superlativa për shkollën e teatrit shqiptar dhe për bukuritë që ofron vendi ynë. Sipas tij, “në Shqipëri ka aktorë e trupa teatrore të shkëlqyera”. Shfaqa e fundit që mbylli këtë edicion ishte ajo e trupës Sarza e Sardenjës, Itali, e cila u zhvillua në kishën Shën Maria në lagjen ‘Kala’.

Fatos Salliu

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›