Kisha e Përmetit si teatri absurd
Nga Luan Kurti
Zhurma që pasoi debatin midis kishës ortodokse dhe bashkisë së qytetit të Përmetit nuk është fashitur ende. Duket sikur ka një nevojë të ngutshme për ta mbajtur gjallë konfliktin. Ngjarja në fjalë që nisi si një problem pronësie çoi menjëherë në retorika të ashpra që sollën në vëmendjen tonë ngjarje të së kaluarës së largët apo të afërt. Në këtë teatër absurd, u bënë bashkë nga njerëzit e thjeshtë, eksponentë të politikës, deri në nivele shtetesh, ku deklaratat dhe kundërdeklaratat pasuan njëra-tjetrën. Intensiteti, kronologjia e ngjarjeve qe e ngjeshur, dinamike. Pak ditë më parë aktivistët e Agimit të Artë mbajtën një tubim tek varri i të ndjerit Aleks Guma, duke provokuar me tezat e tyre shoviniste të Vorio-Epirit. Duke lënë mënjanë të drejtën e organeve përmbarimore për të ekzekutuar një urdhër administrativë, a qe historia e Përmetit një sprovë force, një kundërpërgjigje e autoriteteve shqiptare për këto shkelje të përsëritura nga ana e krerëve të këtij subjekti politik radikal?…Në këtë pikëvështrimi qëndrimi i palës tonë do të qe i përligjur, i motivuar. Një përgjigje e dhënë pikërisht aty ku u improvizua zhvarrosja e turpshme e eshtrave të fshatarëve të Kosinës, duke krijuar alibinë e ushtarëve Grekë të rënë gjatë luftës së dytë botërore qe goditje në dhjetëshe. Në fokus qe po ajo kishë, po ai prift që duke harruar detyrat kanonike, shërbesën e zotit po tregonte zellin e përmbushjes së axhendës politike të padronëve më në jug. Ai prift për të cilin qe hapur një proces gjyqësor, por që qe mbyllur me procedurë, larg syve dhe vëmendjes së publikut, për tiu përgjigjur interesimit dhe oreksit të Athinës zyrtare. Kjo sepse Shqipëria është një shtet i varfër, që pret ndihmën edhe të Greqisë për tu integruar në Europë. Kjo sepse në shtetin Helen gjenden akoma mbi pesë qind mijë emigrantë, që punojnë, mbajnë familjet që mund të penalizoheshin me pa të drejtë. Kanë mbetur të pashlyeshme në kujtesën tonë operacionet fshesa të viteve të fundshekullit të 20-të, ku për çdo kokë shqiptari paguhej pesëmijë dhrahmi, që në zhargon cilësoheshin ditët e gjahut për policinë dhe ushtrinë e shtetit fqinj.
Të bën përshtypje gjuha e përdorur nga Kryeministri në detyrë, për të portretizuar situatën komplekse. Nga njëra anë kritikonte veprimet e zyrtarëve lokalë ndaj institucioneve të kultit të cilët kishin vepruar si përmbarues të diktaturës, nga ana tjetër qortonte ndërhyrjen e autoriteteve Greke në punët e brendshme të një shteti sovran, me një gjuhë deri diku të ashpër, të drejtpërdrejtë dhe aspak diplomatike, gjë e paparë në raste analoge gjatë dy mandateve qeverisëse. Duhet të kujtojmë këtu se pak më parë kryeministri i zgjedhur Edi Rama kishte bërë një vizitë kortezie në Athinë dhe kishte premtuar një erë të re në marrëdhëniet mes dy shteteve. Vetvetiu të shkon mendja se nisja e këtij incidenti, ose së paku koha e zgjedhur kërkonte të krijonte një krisje në marrëdhëniet midis dy vendeve, një prishje të klimës së bashkëpunimit dhe partneritetit, duke ia ngarkuar barrën Edi Ramës. Kriza ekonomike, buxheti i boshatisur dhe dekurajimi i remitancave si pasojë e një konflikti të stisur, do ta vendoste kryeministrin e ardhshëm në një zonë të shkretë, të minuar. Krijimi i idesë se kryebashkiaku i Përmetit veproi me kokë të vet dhe nuk i kishte parasysh pasojat e këtij akti, duket naiv dhe i papranueshëm. Autonomia si koncept i funksionimit të shtetit ligjor nuk ka ekzistuar deri më sot as në nivelet qendrore dhe jo ato lokale. Intuita e atyre që e sajuan këtë incident qe perfekte, në sensin se ia doli të të përfshijë shumë e shumë individë dhe aktorë të rëndësishëm të fesë dhe politikës, por edhe të shoqërisë civile në të dyja anët e kufirit, shtoi kakofoninë, tonet patriotike, duke iu larguar problemeve emergjente aktuale me karakter ekonomikë. Madje kësaj strategjie nuk mundën ti shpëtonin shpesh edhe ndërkombëtarët, të cilët u detyruan të prononcoheshin dhe të bënin thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje.
Deklarimet e bëra nga Janullatosi, Dule apo ndonjë tjetër i hodhën benzinë zjarrit dhe nxitën tonet, veprimet luftarake të klerikëve në fjalë dhe një grupi besimtarësh, që me sjelljen dhe vandalizmin e tyre na kujtuan skenat e mesjetës së hershme. Kjo strategji dhune legjitimohej edhe me fjalimet në parlamentin grek, ku një deputet bënte analogji se nëse do sekuestrohej dhe do hidhej mbi kamion si letër pa vlerë Kurani atëherë do bëhej hataja. Nuk vonoi dhe si kundrapeshë e vendosmërisë së organeve tona policore private për të rimarrë objektin, goditja u shtri mbi emigrantët që hynin e dilnin në kufi, nga pala greke. Kjo hakmarrje përkonte me shprehjen popullore: ske çi bën gomarit, i bie samarit. Paskësaj u desh ndërhyrja private e Edi Ramës (nënkupto mbyllja e kanalit diplomatik me kryeministrin në largim Berisha), me premtimin se pas shtatorit gjithçka do zgjidhet për mirë. Por sërish hierarkët e lartë, militantët e Agimit të Artë u shfaqën këtë javë në portat e doganës së Kakavijës, duke shprehur mosaprovimin për këtë armëpushim. Nacionalizmi i verbër, ekstrem, është karta e tyre promovuese para publikut grek, shansi i rritjes së aksioneve të humbura në bursën politike vendase, sidomos tani që flitet për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme. Heshturazi kjo strategji tensioni i leverdis dhe shtetit aktual grek, si për të hequr vëmendjen e njerëzve nga problemet e brendshme, ashtu edhe për të detyruar organizmat ndërkombëtarë financiarë që ta mbështesin me paketa të tjera ndihmash, për të ruajtur ekuilibrat e brishtë në Ballkan. Përmeti i vogël u zgjodh si fushëbeteje midis palëve andej dhe këtej kufirit, si shprehje e axhendave të ndryshme dhe e lojërave për pushtet.