Kisha në Përmet, konsulli grek takim me kryebashkiakun
Jaçe: Për Pallatin e Kulturës ka një vendim gjyqësor dhe do të veprohet konform ligjit
E quan kishën një institucion të pavarur, por shkoi deri në Përmet për këtë çështje. Konsulli grek në Gjirokastër, Nikolas Kotrokoi u takua me Kryetarin e Bashkisë së Përmetit Gilberto Jaçe për Pallatin e Kulturës. Kjo godinë ka nxitur konfliktin mes kishës dhe Bashkisë së këtij qyteti.
“Kisha Autoqefale Shqiptare nuk ka varësi nga askush. Vendimet e saj duhet të respektohen. Mënyra, koha dhe vendi i ndërhyrjes në Pallatin e Kulturës ishte jo i përshtatshëm. Greqia është i vetmi shtet që ka përkrahur Shqipërinë në procesin e integrimit europian dhe do vazhdojmë të mbështesë Shqipërinë. Jemi dy popuj miq kemi qenë dhe do jemi për përforcimin e marrëdhënieve ndëretnike, ndërfetare e ndërajonale”, u shpreh konsulli grek.
Kryetari i bashkisë i tha konsullit grek në Gjirokastër se dhuna e klerikëve ndaj përmbaruesve ka qenë e papranueshme. Çështja sipas Jaçes zgjidhet vetëm me dialog mes palëve.
Pas takimit me konsullin grek ai konfirmoi se gjatë bisedës u dënuan aktet e dhunës.
“Për Pallatin e Kulturës në Përmet ka një vendim gjyqësor dhe do të veprohet konform ligjit”, u shpreh Jaçe.
Më pas, kryetari i bashkisë dhe konsulli grek pinë kafe në barin pranë sheshit ku besimtarët ortodoksë kanë mbajtur mesha në shenjë proteste.
Çështja e Pallatit të Kulturës ka shkaktuar dhe përplasje fizike pak ditë më parë gjatë hyrjes me forcë në godinë, e cila ruhej nga policia private. Më pas Bashkia izoloi muret me tulla kurse zhvilluan meshën jashtë. Çështje e kishës tensionoi marrëdhëniet mes dy vendeve ku policia greke pa asnjë shkak ktheu qindra shqiptarë në kufi.