E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjerimi nuk është prioritet i presidencës greke të BE

"Zgjerimi i BE nuk është prioritet i presidencës greke", kështu komentohet në në websiten EurActiv të Komunitetit evropian, mbi prioritetet e Greqisë, e cila do të jetë në krye të Presidencës së BE-së 6 muajt e parë të vitit të ardhshëm. 

Raporti shkruan se pavarësisht angazhimeve të mëparshme të Athinës për promovimin e kursit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, prioritetet e Presidencës greke të postuara në faqen e internetit të MPJ, nuk përfshijnë politikën e zgjerimit. 

I pyetur nga EurActiv për mungesën e politikave të zgjerimit të Presidencës greke, zëvendësministri i Jashtëm Dimitris Kurkulas tha se zgjerimi ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë prioritet për Greqinë, duke theksuar se Presidenca greke do të merret me cdo vend individualisht, në varësi të performancës së tij. "Presidenca greke është e angazhuar për promovimin e prioriteteve të zgjerimit të BE-së dhe në mënyrë efektive për të përmbushur sfidat e çdo vendi në fjalë", tha diplomati grek. 

Analistët theksojnë se fakti që zgjerimi nuk është prioritet, përbën një mesazh të qartë për vendet fqinje, Turqinë, Shqipërinë e Maqedoninë. Kjo politikë që do të ndiqet nga Greqia në krye të BE-së, sipas tyre, do t’i detyrojë shtetet fqinje të jenë më “tolerante” ndaj Athinës, e cila përmes këtij pozicioni do të përpiqet të mbyllë çështjet e mbetura pezull. 

(Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›