Kishin humbur prej një jave, shkrimi “ndihmë” në rërë i shpëton jetën 3 marinarëve amerikanë

Tre marinarë amerikanë të bllokuar në një ishull të vogël të Oqeanit Paqësor për më shumë se një javë janë shpëtuar falë shkrimit “NDIHM˔ që formuan me gjethe palme në rërë.
Të tre marinarët kishin planifikuar të peshkonin në ujërat përreth Atollit Pikelot, pjesë e Mikronezisë, më 31 mars, kur skafi i tyre u mbyt pasi motori u dëmtua.
Ata dolën në breg në ishullit Pikelot të pabanuar, por radios së tyre i mbaroi energjia e baterisë para se të mund të thërrisnin për ndihmë.
Kështu, të humburit mblodhën gjethe palme nga ishulli prej 31 hektarësh, i rregulluan që të shkruanin “NDIHMË” në plazh dhe pritën.
Për një javë, ata jetuan duke konsumuar arra kokosi, ndërsa fatmirësisht kishin ujë të pijshëm nga një pus i vogël në ishull, i cili ndonjëherë vizitohet nga peshkatarët në rajon.
Një avion zbulues i marinës amerikane i dërguar nga Baza Ajrore Kadena në Okinaëa, Japoni, vuri re shenjën “NDIHMË” në plazh më 7 prill.
Lt. Chelsea Garcia, koordinatori i misionit të kërkim-shpëtimit tha se shenja ishte “vendimtare” për gjetjen e tyre në një zonë kërkimi që mbulonte më shumë se 103 mijë milje katrore.
“Ky akt i zgjuarsisë ishte thelbësor në drejtimin e përpjekjeve të shpëtimit drejtpërdrejt në vendndodhjen e tyre,” tha Garcia në një deklaratë./ CNN
/rtsh.al/