E Diel, 1 Nëntor 2026

Kishin krijuar faqe të rreme si të Postës Shqiptare dhe çonin sms mashtruese, arrestohet i riu francez, shpallet në kërkim bashkëpunëtori gjerman

Policia e Shtetit ka finalizuar operacionin e koduar “Posta e Rreme 2”, duke goditur një tjetër skemë mashtrimi kompjuterik që përdorte faqe të falsifikuara të Postës Shqiptare për të vjedhur të dhënat bankare të qytetarëve.

Sakaq, një shtetas francez është arrestuar, ndërsa bashkëpunëtori i tij me shtetësi gjermane është shpallur në kërkim, pasi dyshohet se kishin ngritur një skemë mashtrimi online duke imituar faqen zyrtare të Postës Shqiptare.

Sipas njoftimit të Policisë, ata krijonin faqe të rreme dhe dërgonin SMS me linqe mashtruese, përmes të cilave synonin të merrnin të dhënat personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë. Qëllimi i tyre ishte përfitimi i paligjshëm i shumave monetare nga llogaritë bankare të viktimave.

Në pranga ra i riu nga Franca Z. K., 22 vjeç ndërsa në kërkim u shpall bashkëpunëtori nga Gjermania, T. M., 53 vjeç.

Sakaq, gjatë operacionit u sekuestruan celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari kriminale ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.

Njoftimi i Policisë

Finalizohet operacioni policor i koduar “Posta e Rreme 2”, goditet një tjetër skemë mashtrimi kompjuterik përmes faqeve të falsifikuara të Postës Shqiptare. 

Nga veprimet hetimore rezultoi se shtetas të huaj kishin krijuar faqe të rreme që imitonin faqen zyrtare të Postës Shqiptare dhe, nëpërmjet dërgimit të SMS-ve me linqe mashtruese, synonin të merrnin të dhëna personale dhe bankare të qytetarëve shqiptarë, me qëllim përfitimin e paligjshëm të vlerave monetare nga llogaritë e tyre bankare.

Në kuadër të operacionit u ndalua shtetasi francez Z. K., 22 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi gjerman T. M., 53 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.

Gjatë operacionit u sekuestruan celularë, karta SIM, karta bankare, dokumente të ndryshme dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi kompjuterik”.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që:

-Të mos klikojnë në linqe të dyshimta të dërguara përmes SMS-ve, email-eve apo rrjeteve sociale;

-Të verifikojnë gjithmonë adresën zyrtare të institucioneve përpara se të plotësojnë të dhënat personale apo bankare;

-Të mos japin asnjëherë numra kartash bankare, kode sigurie apo fjalëkalime në faqe të paverifikuara;

-Të raportojnë menjëherë pranë Policisë së Shtetit, çdo rast të dyshuar mashtrimi online.

Në rastet e mëparshme, disa shtetas kanë rënë viktimë e kësaj skeme mashtrimi, duke pësuar humbje monetare për shkak të vendosjes së të dhënave të tyre bankare në faqet e falsifikuara.

Policia e Shtetit mbetet e angazhuar në luftën kundër krimit kibernetik dhe në mbrojtjen e qytetarëve nga mashtrimet online.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Kronika

    Të gjitha ›