Kishin përshtatur magazinën për kultivim kanabisi, arrestohet pronari dhe drejtori i OSHEE-së në Peqin

TIRANË, 19 maj/ATSH/ Në kuadër të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit Policia e Elbasanit njofton se ka arrestuar drejtorin e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Peqin.
Po ashtu, janë proceduar dhe 2 punonjësi të OSHEE-së.
Policia njofton se është finalizuar operacioni policor “Territor i pastër”. Gjatë operacionit u zbulua një magazinë e përshtatur për kultivim të kanabisit me anë të llambave.
“Në kuadër të operacionit, u arrestua shtetasi G. K., 37 vjeç, banues në Peqin, pronari i magazinës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.
Nga kontrolli në magazinën në pronësi të 37-vjeçarit, në fshatin Fatishe, Policia konstatoi se ky ambient ishte përshtatur për kultivim dhe prodhim të kanabisit, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike”, njofton Policia.
“Në vijim të veprimeve procedurale, u bë ndalimi i shtetasit E. M., 33 vjeç, banues në Peqin, me detyrë Drejtor i OSHEE, Peqin, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasin M. P., 60 vjeç, me detyrë elektricist i OSHEE, Peqin, dhe për shtetasin A. K., 33 vjeç, me detyrë faturist i këtij institucioni”, bën të ditur Policia.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.